Taksat ekstrabuxhetore duhet të shpallen të jashtëligjshme
Klodian Tomorri
Po qarkullon një projekt i Bashkisë që varrezat e dëshmorëve të jepen me koncesion dhe tek fatura e ujit të vendoset një taksë tjetër për të paguar privatin.Me gjasa do të jetë një taksë e përkoheshme si ajo e shkollave. Normalisht popullin në këtë rast duhet ta mbronte Keshilli Bashkiak. Por meqë me siguri do dalë ndonjë nga këshilltarët e LSI ose edhe nga ata të PD-së, që do të votojë pro sa të kalojë vendimi, popullin e ruajt Zoti.
Bashkia e Tiranës po bën më shumë politike fiskale se Ministria e Financave. Tre vitet e fundit më shume taksa ka vënë Bashkia se Parlamenti. Dhe është hera e dytë që vendoset taksë ekstrabuxhetore, të ardhurat e të cilës nuk shkojnë në buxhet por derdhen drejtepërdrejtë në llogari private.
Këto janë taksat më të pandershme, që për hir të së vërtetës në Shqipëri i futi qeveria e kaluar e Partisë Demokratike me koncesionin e markimit dhe atë të skanimit.
E keqja është se Kushtetuta ja ka prerë duart popullit dhe nuk i lejon referendum për të bllokuar taksa. Por ka një metodë. Taksat e padrejta duhet të refuzohen në bllok nga qytetarët. Ka raste të refuzimit të taksave nga qytetarët ne histori me mosbindje.
Megjithatë zgjidhja ideale e kësaj do ishte ajo ligjore. Këtu ka nevojë urgjente për një ligj, i cili të bllokojë vendosjen e taksave ekstrabuxhetore. Perndryshe duart e shtetit do zgjaten dhe do zgjaten derisa të zënë frymën e njerëzve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



