Të qeshësh me vdekjen… deri në vdekje!
A ju ka vajtur ndonjëherë ndërmend, se një ditë do të shikonit të zgjedhurit e të besuarit tuaj, që do të guxonin të talleshin dhe të shpërdoronin besimin që i’u dhatë? E di që nuk e kishit menduar kurrë, por ja që ndodh. As unë, ashtu si ju, nuk e kisha menduar, se do të shihja njerëz të bënin humor me vdekjen, me viktimat e kriminelëve dikur të veshur me pushtet, të cilëve sot u ka ikur “shteti”, e u ka mbetur vetëm “pushti”.
Nuk ka pamje më të trishtë, se të shohësh një tufë zagarësh të bëjnë humor me kufoma. Injorantët e dallkaukë, flasin në foltore, vetëm se janë të pajisur me një teser partie, e të folurën e pëdorin vetëm si një sjellje mekanike, e bashkimit të majës së gjuhës me qiellzën.
Por, është bërë e zakonshme, të ndjekësh seanca në parlament, që i’a kalojnë edhe shfaqjeve më të mëdha të humorit, me personazhet tanë të përjavshëm, që të gajasin deri në vdekje, kur shfrenohen duke folur për gjëra që kanë ndodhur dhe për tjera që pritet të ndodhin. Nuk ka të enjte, që mos të vdesësh së qeshuri me batutat e tyre, e s’ka gjë më të bukur, se sa t’i shohësh teksa argëtohen me njëri tjetrin, nga batuta në batutë, nga skeçi në skeç.
E dini sa i lumtur jam? Hidhem në ajër nga lumturia! Aq sa më vjen të dal në penxhere e të bërtas: “O vemje… o surratëpalarë… o trutharë… po mjaft më…”, sigurisht, me shpresën se mos njëra nga këto shprehje, mund të arrijë të kaloj përmes “tallazeve” të betonit të qytetit tim, e të hyjë diku në ndonjë cep dritareje, atje tej në parlament, ku estrada për të cilën, nuk të duhet të presësh biletë, vazhdon të luhet ende, sepse është e përjavshme… edhe tallja gjithashtu!
Nuk më bëhet të ndaloj së shari e mallkuari, ju betohem! Por shfaqja s’mbaron këtu! Veç batutaxhinjëve, zgërdhihen si palaço edhe shoqëruesit e tyre, të cilët janë të detyruar të aprovojnë me duartrokitje e buzagaz, fjalitë e lavdishme të shoqëruara me një: Bravo shef, e gozhdove kësaj here!
Hokatar të mëdhenj na paskërkishin qenë, po se paskam ditur! E nëse do ta kisha ditur, kaq talent për të interpretuar të pafytyrin, kurrë se kam pritur!
Nuk e di përse, por gjithmonë pyes veten: Si ka mundësi, që mund të bësh biseda e t’i qeshësh dikujt, që ka vrarë e ka bërë për të qarë një popull të tërë?! Si mund t’i drejtohesh me batuta e buzagaz, dikujt që ka shitur e ka plaçkitur ç’ka pasur në dorë?! Si mund t’i japësh hapësirë ti një krimineli, i cili sot, do duhej të ishte banori VIP tek Hoteli “7 penxheret”, ose së paku të jepte llogari në sallën e gjyqit, e atje të bëj shakatorin me qëllimin e mbrapshtë, për të pastruar figurën e tij, se katharsisin e shpirtit vetëm në atë botë e bën?!
Nuk u lejohet kurrë kriminelëve, të bëjnë prokurorin, vetëm se nuk janë kapur akoma. Madje, për mendimin tim (e kam me ty që debaton çdo javë me ta), nuk duhet t’ua lejosh kurrë, as atyre që rrinë krah teje, të qeshin me batutat e tua, pasi çdo fjalë e jotja nëse rrit humorin e “sallës stallë”, është mbështje për një vepër penale, e bërë në kurrizin tonë dhe tëndin, prej atyre që rrinë ballë teje dhe humori është… mëkat! Ata por dhe ju, duke heshtur, nuk mund të talleni me dhimbjen dhe vuajtjen e mijëra njerëzve, që e kanë pësuar nga politika e mbrapshtë dhe shkatërrimtare e këtij vendi, duke bërë “humor të zi” çdo javë.
Nuk mund të qeshet me vdekjen e të vdekurit, me
varfërinë e të rreckosurit, me drithmat e të zbathurit, me brengën e të sakatosurit, sepse është për të uluritur. Ju nuk duhet të qeshni e as të heshtni, sepse të gjithë ata të cilët sot ngrejnë gishtin e lëshojnë akuza, pavarësisht se në emër të kujt, duhet të ishin një tufë “grykëzënësh” të mbyllur brenda mureve të një qelie të largët.
“Shpresëmadhi” popull, por jo besimtar deri në sakrificë, atyre i’u mori pushtetin, por Zoti më duket se po i’u merr mendjen, që kur se kujtesa i’u ka “lënë”. Nëse ata vuajnë nga amnezia (humbja e kujtesës), bëhuni ju zemërmirë, që të marrët të mos na shpëtojnë, sepse nuk ndëshkohen. Mundohuni t’i “shëroni”, duke i’u a kujtuar gjëmat dhe bëmat, sepse ndoshta të gjithëve do tu duhet kujtesa… kur të mbrohen me mend në kokë dhe prapanicë zbuluar.
Do Zoti nuk jam i gabuar! Për fatin tim të mirë e tonin njëkohësisht, kam ndjesinë, se hokatarëve që shkruajtën qindra faqe librash me histori dramash njerëzore, po u vjen fundi! Kështu që edhe pak do t’i durojmë, tek qeshin me dhimbjet dhe dramat tona, deri në vdekjen… nëse vdekja prej dhimbjes sonë, do tu vij!/Zathur
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


