E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Thirrja e gazetarit : Mos votoni ligjin e  antikombëtar për tokën
Sot

Thirrja e gazetarit : Mos votoni ligjin e antikombëtar për tokën

Ligji për tokën bujqësore ndez debat politik, Armir Shkurti e cilëson “tradhti kombëtare” dhe u bën thirrje deputetëve të mos e votojnë

Gazetari Armir Shkurti ka reaguar ashpër ndaj projektligjit “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”, i cili pritet të shqyrtohet dhe të hidhet në votim në Kuvend.

Shkurti e ka cilësuar nismën si një “ligj të tradhtisë kombëtare”, duke u bërë thirrje deputetëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike që të mos e miratojnë.

Sipas tij, projektligji hap rrugën që shtetasit e huaj të blejnë sipërfaqe të mëdha toke bujqësore në Shqipëri, duke rrezikuar kontrollin mbi një nga pasuritë më të rëndësishme të vendit.

Debati është ndezur edhe nga një analizë e publikuar nga gazetarja Admirina Peci, e cila argumenton se kufiri prej deri në 30 hektarësh për person ose subjekt të huaj mund të anashkalohet përmes krijimit të shoqërive, kooperativave apo grupeve me shumë anëtarë. Sipas këtij interpretimi, një grup me 1.000 anëtarë mund të zotërojë teorikisht deri në 60.000 hektarë tokë bujqësore, nëse secili subjekt përfiton kufirin maksimal të lejuar.

Çfarë parashikon projektligji?

Projektligji përcakton rregullat për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek persona fizikë dhe juridikë të huaj.

Ndër pikat kryesore janë:

  • Personat fizikë dhe juridikë të huaj mund të blejnë deri në 2 hektarë brenda një bashkie dhe deri në 30 hektarë në nivel kombëtar.
  • Blerja lejohet vetëm për zhvillimin e veprimtarive bujqësore dhe blegtorale.
  • Përfituesit duhet të kenë rezidencë të përhershme në Shqipëri për të paktën 5 vjet.
  • Duhet të kenë zhvilluar aktivitet bujqësor ose agrobiznes në Shqipëri për minimumi 3 vjet.
  • Kërkohet arsim ose përvojë profesionale në bujqësi.
  • Aktiviteti duhet të ushtrohet përmes një shoqërie të regjistruar në Shqipëri, ku i huaji është pronar ose bashkëpronar.
  • Ndalohet blerja e tokave që janë objekt i proceseve të kthimit të pronës, investimeve strategjike, zonave ushtarake, zonave të mbrojtura apo me vlera historike dhe arkeologjike.
  • Ligji parashikon edhe mundësinë e revokimit të pronësisë, nëse toka nuk përdoret për qëllimin bujqësor ose shkelen detyrimet e përcaktuara.

Një element i rëndësishëm i projektligjit është se, sipas nenit 12, efektet e tij do të fillojnë vetëm 7 vjet pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, edhe pse ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Projektligji pritet të jetë një nga çështjet më të debatueshme të seancës parlamentare, ndërsa kundërshtarët e tij kërkojnë tërheqjen ose ndryshimin e dispozitave që lejojnë kalimin e tokës bujqësore në pronësi të shtetasve dhe subjekteve të huaja.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.