Tiranë, çmimet e shtëpive u rritën 151% në vetëm 7 vite
Të blesh një apartament në Tiranë, një mision i pamundur për familjet e reja

Nëse dikur blerja e një apartamenti në Tiranë ishte një objektiv i arritshëm për familjet e reja, sot për shumë qytetarë është kthyer në një ëndërr gjithnjë e më të paarritshme. Të dhënat e indeksit Keydata Albania, të publikuara nga “Çelësi Media Group”, tregojnë se çmimet e apartamenteve në kryeqytet janë rritur me ritme të paprecedenta gjatë shtatë viteve të fundit, duke arritur deri në 151% në disa zona.
Analiza, e cila krahason tremujorin e dytë të vitit 2019 me të njëjtën periudhë të vitit 2026, tregon se në shumicën e 32 zonave kadastrale të Tiranës çmimet pothuajse janë dyfishuar, ndërsa në disa prej tyre janë rritur edhe më shumë.
Rritjen më të fortë e ka regjistruar Njësia Administrative nr. 6, ku çmimi mesatar i apartamenteve është rritur me 151%, nga 672 euro/m² në vitin 2019 në 1,687 euro/m² në qershor 2026. Kjo zonë përfshin Kombinatin, Yzberishtin, Sharrën, Vaqarin dhe Selitën.
Edhe zona të tjera kanë shënuar rritje të ndjeshme. Në Njësinë nr. 4 çmimet janë rritur me 130%, ndërsa në Njësinë nr. 5, ku përfshihet edhe zona pranë ish-Bllokut, rritja ka arritur në 127%, me çmimin mesatar që ka shkuar në 2,514 euro/m².
Vetë ish-Blloku mbetet ndër zonat më të shtrenjta të kryeqytetit. Çmimi mesatar i apartamenteve ka arritur në 2,962 euro/m², duke u rritur me 117% krahasuar me vitin 2019.
Ndër zonat me çmime shumë të larta renditen edhe Njësia nr. 10, me 2,515 euro/m², dhe Njësia nr. 2, që përfshin Piramidën, Pazarin e Ri dhe zonën pranë Ambasadës Amerikane, ku çmimi mesatar ka arritur në 2,306 euro/m².
Edhe në zonat tradicionalisht më të lira, rritja ka qenë e konsiderueshme. Njësia nr. 8 shënoi rritjen më të ulët në nivel bashkie, por sërish çmimet janë rritur me 85%, duke arritur në 1,786 euro/m².
Sipas të dhënave të indeksit, rritja e çmimeve ka prekur praktikisht të gjitha njësitë administrative të Tiranës, duke e bërë tregun e banesave gjithnjë e më të papërballueshëm për qytetarët me të ardhura mesatare.
Shifrat tregojnë se, ndërsa çmimet e apartamenteve janë rritur me ritme rekord, mundësia për të blerë një banesë është larguar gjithnjë e më shumë për mijëra familje, duke e kthyer shtëpinë në kryeqytet nga një nevojë bazë në një luks.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



