Tjetër protestë për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani
Aktivistët dhe qytetarët kanë njoftuar një tjetër protestë për vrasjen tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani, që ndodhi pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”. Protesta e tretë është planifikuar të mbahet të martën, më 3 dhjetor, duke nisur në orën 18:00. Marshimi do të fillojë nga shkolla “Fan Noli” dhe do të përfundojë te Ministria e Arsimit.
Në dy protestat e mëparshme, prindërit dhe shoqëria civile kanë bërë thirrje për masa të rrepta sigurie në shkolla dhe kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Tragjedia ndodhi disa ditë më parë, kur Martin Cani humbi jetën në një incident të rëndë mes bashkëmoshatarëve të tij, ku mbeti i plagosur edhe një tjetër nxënës. Ngjarja ka ngjallur shqetësime të thella për sigurinë dhe dhunën në shkolla, duke çuar në reagime të forta nga komuniteti.
Organizatorët e protestës së ardhshme bëjnë thirrje për pjesëmarrje të gjerë për të kërkuar drejtësi për Martin Canin dhe për të siguruar një mjedis të sigurt për fëmijët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


