Trendi i rrezikshëm i ndërhyrjeve estetike të paautorizuara: Vajzat rrezikojnë dëmtime të fytyrës dhe trupit
Një trend shqetësues ka dalë në pah në mesin e vajzave të reja që përdorin metoda të paautorizuara për të zbukuruar pamjen e tyre, duke ndërhyrë në pjesë të ndryshme të fytyrës dhe trupit. Ndikuar nga çmimet më të lira, vajzat zgjedhin t’i nënshtrohen këtyre procedurave në parukeri ose ambiente të pacilësuara, duke injektuar madje edhe produkte të paregjistruara.
“Mjekësia estetike është një fushë e ndërlikuar dhe duhet të ushtrohet nga mjekët e licensuar. Çdo qendër estetike duhet të ketë një mjek të autorizuar për këto shërbime. Në të kundërt, nuk dihet çfarë produkte përdoren në trup”, tha mjekja dermatologe Brunilda Bardhi.
Shpesh hasim vajza me deformime në fytyrë dhe dëmtime të tjera. Mjekët dermatologë profesionistë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të trajtuar këto dëmtime.
“Kemi raste të shumta që vijnë për të riparuar dëmtimet që kanë pësuar. Mjekësia estetike duhet ofruar vetëm nga profesionistët”, shtoi mjekja Monika Fida.
Në këtë kontekst, në Tiranë është zhvilluar kongresi i dytë i Shoqatës së Dermatologjisë dhe Kozmetikës, me pjesëmarrjen e mjekëve dermatologë nga vende të ndryshme të botës. Në këtë kongres, u diskutuan metodat më të fundit në fushën e dermatologjisë, duke nxitur rritjen e vetëdijesimit dhe sigurisë në ofrimin e shërbimeve estetike.
Ky kongres ka rëndësi të veçantë për të rritur ndërgjegjësimin rreth rrezikut të ndërhyrjeve estetike të paautorizuara dhe për të theksuar nevojën e konsultimit dhe trajtimit nga mjekët dermatologë profesionistë për të minimizuar rrezikun e dëmtimeve dhe pasojave të papritura.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



