E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
U jepte fëmijëve ilaçe për kafshë, arrestohet konspiracionisti
Bota

U jepte fëmijëve ilaçe për kafshë, arrestohet konspiracionisti

Ishte vetëshpallur ‘shërues’ i autizmit

Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar Arianit Sllamnikun, një person i njohur për teori konspirative, i cili pretendonte se mund të trajtonte autizmin tek fëmijët, ndonëse nuk ka asnjë lidhje me fushën e mjekësisë.

Rasti u bë publik ditën e djeshme nga emisioni KIKS Kosova, ku u raportua se Sllamniku u kishte shitur disa personave ilaçe veterinare, duke i paraqitur ato si medikamente që “shërojnë” autizmin. Sipas raportimeve, për këto “trajtime” ai kërkonte deri në 4 mijë euro, ndërkohë që produktet e ofruara nuk ishin të destinuara për përdorim njerëzor.

Publikimi i këtij rasti ngjalli reagime të forta në opinionin publik dhe kërkesa për ndërhyrje nga institucionet shtetërore. Menjëherë pas raportimeve, Policia e Kosovës ka nisur hetimet dhe sot ka bërë arrestimin e Sllamnikut.

Sipas njoftimit zyrtar, ai dyshohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, si dhe për eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim të paligjshëm të barnave. Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Gjilan, Sllamniku është ndaluar për 48 orë.

Ndërkohë, Policia Rajonale e Gjilanit u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë marrë shërbime, “trajtime” apo konsultime nga Arianit Sllamniku dhe që dyshojnë se mund të jenë dëmtuar, qoftë materialisht apo shëndetësisht, të paraqiten pranë Njësisë së Hetimeve Rajonale për intervistim.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve dhe t’u besojnë vetëm metodave të bazuara në prova shkencore.

“Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe rrjete sociale lidhur me pretendimet se një individ ka ofruar ilaçe duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. U bëjmë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht dhe shërbimeve që ofrohen nga profesionistë të licencuar shëndetësorë”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.