U marros pas bukurise, nisi t’i dërgonte paratë dhe dhuratat vajzës ‘virtuale’ drejtori i Postës
Vajza nga Manza e Durrësit josh me anë të rrjetit social djalin nga fshati Kullë duke i zhvatur mbi 60 milionë lekë në harkun e dy viteve. Ajo arriti t’i fitojë besimin të riut duke mos i dalë asnjëherë në takim, ndonëse virtualisht kishin rënë dakord të martoheshin. Pas më shumë se dy vitesh njohje virtuale, 30-vjeçari nga Kulla e Durrësit, Barush Ahmeti, e ka kuptuar lojën e 27- vjeçares dhe e ka denoncuar atë në polici. Policia bëri me dije se është duke hetuar në lidhje me mashtrimin financiar të bërë nga 27-vjeçarja Enertila Beqja, e arrestuar për mashtrimin prej 60 milionë lekësh të vjetër.
NJOHJA NE “FACEBOOK”
Enertila Beqja, 27 vjeçe, kishte hapur një llogari në “Facebook” me identitetin e saj, por me fotografi të një aktoreje telenovelash. Ajo i ka bërë ftesë 30-vjeçarit, i cili ka pranuar menjëherë ta shtojë në listën e miqve të tij virtualë, me qëllim për ta bërë më pas mikeshë reale.
I surprizuar nga bukuria e saj, 30-vjeçari Barush Ahmeti ka nisur të flirtojë me të. Pas pak kohësh, ata arritën të kishin një komunikim të rregullt virtual dhe në një- farë mënyre e konsideronin veten të lidhur me njëritjetrin. Vajza pikas që djali ishte mirë nga gjendja ekonomike, pasi vetë ai punonte në një institucion shtetëror në Manëz (Drejtor i Postës) dhe vëllezërit i kishte emigrantë në Itali e Gjermani. Këtu ajo nisi “sulmin” duke i kërkuar para, bizhu e veshmbathje.
I riu është prekur nga hallet e vajzës, e cila i shkruante se familja e saj ishte në gjendje të vështirë ekonomike. Kështu, altruizmi i tij e kaloi cakun duke i besuar së resë shumën e 60 milionë lekëve, ndonëse ajo gjente mënyra për ta evituar takimin prej më shumë se dy vitesh me të.
MASHTRIMI
Sipas të dhënave, Enertila Beqja kishte mbaruar gjimnazin disa vite më parë dhe jetonte së bashku me prindërit e saj në Manëz, duke i ndihmuar ata me punët e shtëpisë dhe në bujqësi. Pas njohjes në “Facebook” me Barush Ahmetin, ajo ndryshoi stilin e jetesës nga një vajzë e thjeshtë fshati, me veshje e çanta të shtrenjta. Familja e saj jetonte në kushte të vështira ekonomike, por që pas njohjes me 30-vjeçarin, banesa e tyre nisi të ndërtohej dhe të mobilohej dita-ditës.
Zhvatja nisi kur djali i kishte kërkuar të dilnin dhe të njiheshin nga afër. Ai i kishte kërkuar madje të fejoheshin, edhe pse nuk e kishte takuar asnjëherë. Por vajza nuk dilte me pretekstin se i vinte turp që ai dhe familja e tij ta shikonin në gjendje të mjeruar shtëpinë e saj. Që këtu nisën negociatat mes tyre duke i marrë të hollat me qëllimin për të ndërtuar shtëpinë.
Edhe pse ajo e ndërtoi dhe mobiloi shtëpinë (dy dhoma), sërish refuzonte të dilte në takim. Ndërkohë, ajo vazhdonte të kërkonte veshmbathje të shtrenjta nga i dashuri virtual.
Ky i fundit me sa duket ishte i dhënë mjaft pas vajzës sa ta shkrinte dita-ditës pasurinë e vëllezërve të tij emigrantë. Ata kishin rënë dakord që dhuratat e paratë i riu t’ia linte në një market në Durrës, aty ku 27-vjeçarja kishte një të njohurin e saj. Nëpërmjet tij (policia nuk e bëri të ditur emrin dhe faktin nëse ai ishte i implikuar), të resë i liheshin pakot dhe më pas ajo shkonte t’i merrte.
Prinderit e Enertila Beqjat, e arrestuar pas denoncimit te bere nga drejtori i Postes, Barush Ahmeti, kane reaguar per here te pare per gjithe sa ka ndodhur me te bijen e tyre.
Gjatë deklarimeve në Polici, prindërit e vajzës kanë shpjeguar se nuk kanë pasur dijeni për lidhjen e së bijës me 30-vjeçarin.
Ndryshe nga ajo çka ka pranuar vajza në Polici, ata kanë pohuar se shtëpinë dhe mobiliet i kanë bërë me paratë e tyre.
“Nuk kemi pasur dijeni në lidhje me historinë e vajzës. S’kemi marrë asnjëherë dhurata nga askush. Nuk e dimë çfarë po ndodh me vajzën tonë.
Edhe nëse ka pasur lidhje dhe ka marrë dhurata, ajo nuk i ka vënë pushkën në kokë atij djali. Ka dashur t’i blejë dhurata, ia ka blerë.
Nuk e shtyu njeri me zor. Shtëpinë e kemi bërë me forcat tona, e kemi mobiluar modestisht me forcat tona.
Ça ka blerë ai për vajzën, rroba, bizhuteri, këpucë apo çanta, kjo është puna e tij. Ato merrini, ndërsa me të tjerat nuk keni punë”, u janë drejtuar prindërit e vajzës policisë, ndërkohë që ajo po bllokonte mallrat e pretenduara nga 30-vjeçari.
Edhe sot në gjykatë, babai i Enertilës, tha se vajza e tij eshte e pafajshme dhe se s’ka lidhje fare me ngjarjen.
“Barushi genjen se na ka bere shtepine dhe e ka mobiluar, e kemi bere me kursimet tona”, u shpreh ai.
Theksojme se Gjykata e Durresit ka vendosur per Enertilen masen e sigurise arrest me burg.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


