U mbars kulla “Mount Tirana” dhe doli naftë në Shpirag
Naim Noka
Sos vapa nuk ka zgjidhje po njerëzia është qorollepsur pa fund nga propaganda e thuajse 90% e mediave në Shqipëri që i komandon kryeministri. Një javë shpiket “Kulla e Zenit”, dhe pastaj ndërhyn plot forcë Luli Basha dhe Erioni, kërkuesi i Inceneratorit të Tiranës. Pastaj hop na dalin për tre ditë hajdutët e Ilir Beqes, Rrjepaj e Rrapaj. Kur njerëzit po prisnin arrestimin e autorit të tre koncensioneve në shëndetësi Ilir Beqes na vjen Meloni me Vapor nga Pulia dhe pasi kalon pushime të paharrueshme në Dhërmi, e mbyll vizitën duke paguar faturën e restorantit në Berat.
Para dy ditësh vetë shoku “Sillo” i qeverisë njoftoi se tani do jetojmë si sheikë pasi kemi zbuluar “Arin e Zi” të Shpiragut.
Shoku Sillo nuk thotë asgjë për Inceneratorin e Tiranës. Për inflacionin. Nuk flet për çmimin e naftës. Nuk flet për ikjen e shqiptarëve nga ky vend i mbushur plotë me turistë. Nuk flet për zyrtarët e tenderimeve që edhe pse kanë filluar të kenë frikë nga firmat që hedhin, vjedhjet në tenderime nuk po kanë të ndalur. Nuk flet për vjedhjen edhe në sistemin TIMS . Nuk flet për Kadastrën online që është ku thërret qameti. Nuk flet për Fondet e bujqësisë nga BE rezultuan të keqpërdorura.
Që nga korriku SPAK-u, po heton figura të larta të qeverisë, përfshirë edhe ish-zëvendëskryeministrin Ahmetaj, dhe Erion Veliajn dhe disa nga ministrat aktualë.
Ishët janë shumë. Aktualët beterr fare!
Kë të heqësh e kë të lësh në qeverinë e re në vjeshtë . Çështja është e rëndë dhe serioze. Arrestimet e ish-ministrave dhe zyrtarëve tregojnë për intensitetin e hetimit dhe përpjekjen e SPAK për të zbardhur të vërtetat e megavjedhjeve në tre inceneratorët, koncensionet në shëndetësi dhe grupet kriminale.
Duket se e vetmja rrugë që i ka mberur bablokut është të shpikë lajme “tullumbace” për të shtyrë ditët e vapës.
Nafta e Shpiragut tani do na i paguajë 637 mijë pensionistët , po teproi ndonjë lekë edhe 187 mijë punonjësit e administratës.
Oligarkët janë në formë me ndërtime e me fonde të sigurta nga shteti.
Shoku ‘ Sillo’ ka menduar të bëjë një qeveri që do të jetë fringo e RE në vjeshtê.
Do të ndërrojë të brendshmet firmato, do t’i vërë qerpikë të rinj, mund të fryjë ca buzë me silikon, ndoshta edhe ndonjë mbjellje flokësh por ai ‘Burri’ që kurrë nuk ka bërë një gabim në tre mandate qeverisje por gjithmonë ja kanë futur pas krahëve do jetë aty si ” kryeministri më i mirë në botë Alban” më madhi i të gjitha kohërave. Por mos harroni se edhe po iku vapa e gushtit opinionit publik nuk do t’i mungojë çdo javë nga një lajm për shplarje truri si “U mbars kulla “Mount Tirana” dhe doli naftë në Shpirag”.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



