Vasili flet për dramën atdhe-vrasëse : 40 mijë të rinj deri në 29 vjeç ikën në 1 vit
Popullsia e Shqipërisë po përjeton një plakje graduale dhe fenomenin e emigracionit, veçanërisht në mesin e të rinjve, duke ndryshuar strukturën e popullsisë dhe kthyer piramidën në favor të moshave më të vjetra.
Sipas raportit të INSTAT-it për 1 janar 2023, popullsia e Shqipërisë është 2.761.785 banorë, duke shënuar një rënie prej 1.1%, ose 31.8 mijë persona më pak krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat e detajuara të INSTAT-it, të analizuara nga Monitori sipas grupmoshave, tregojnë se rënia më e madhe është regjistruar te grupmosha deri në 29 vjeç, veçanërisht në grupmoshën 15-29 vjeç, që kanë tendencë të shkojnë jashtë vendit për arsye të ndryshme, si shkollimi, bashkëjetesa me prindërit apo puna.
Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar lidhur me këto të dhëna në rrjetet sociale, duke theksuar se kjo është një dramë që Shqipëria po përjeton sot.
“Sot përjetohet një dramë atdhe-vrasëse! Dymbëdhjetë mijë të rinj deri në moshën 29 vjeç largohen vetëm në një vit! Rinia, forca jonë e re, po ikën masivisht. Popullsia shqiptare po plaket çdo ditë, ekzistenca dhe identiteti ynë janë në rrezik të jashtëzakonshëm. Qeveria nuk ofron asnjë zgjidhje, asnjë ide, asnjë projekt të madh, asnjë shpresë që të ndalohet kjo situatë. Qeveria ofron vetëm lajme të hidhura, grabitje të pandalshme, pabarazi para ligjit dhe përçmim ndaj njerëzve të thjeshtë. Mendojeni, pra, sa e keqe dhe sa vrasëse është propaganda e qeverisë dhe e atyre që i përkrahin përpara kësaj drame të pafundme,” thekson nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



