VOTIME SI NË SHTETRRETHIM dhe FILXHANI
Kalova përmes rrugës së Ambasadave në Tiranë dhe nga të dy anët më zunë sytë ushatarë të armatosur gjer në dhëmbë. Në ruajtje të ambasadave. Nga kush? Përse? As nuk pyeta njeri dhe as nuk prita përgjigje. E njihja ‘Kush-in’. E dija ‘përse-në’. Nxitova hapat pa e kthyer kokën as majtas e as djathtas. Si çdo njeri normal më erdhi turp për vendin tim.
Pak minuta më vonë, ndërsa isha ulur për të pirë kafenë e mëngjesit në një nga lokalet e rrugës “Myslym Shyri” në trotuarin përballë kaloi një polic me kallash. E mbante në dorë sikur sapo ishte kthyer nga gjuetia e derrave të egër. Mbase kthehej nga shërbimi i natës në ndonjë qendër votimi.
Më kaluan mornica në trup. Hoqa sytë nga rruga dhe i ngula në fundin e filxhanit të kafesë. Edhe më keq akoma. M’u mjegullua shikimi. Si në një përçarjte të turbullt. Nga fundi i filxhanit m’u faneps Mona. E nxirë, si e dalë nga llumi. E vogël, fare e vogël, sa një kokërr kafeje. Sa doli në sipërfaqe të filxhanit kërceu mbi tavolinë. U rrit, si me magji, dhe vrapoi në rrugë. Iu vu pas policit. M’u dhimbs polici. Po nuk e ndihmoja dot. Ula kokën edhe një herë mbi filxhan. Gryka e tij më ngjau me një transhe, nga e cila dolën njëri pas tjetrit ca burra me fytura të nxira, që nuk dallonin nga njëra-tjetra. Pa formë, pa muskuj e nerva. Ishin disa. Mes tyre dallova vetëm dy: Lulin flokëshprishur dhe Liken kokërruar. Të dy të lodhur. Nuk e kuptova vinin nga beteja apo po niseshin për betejë. Luli nxitoi drejt pasqyrës së tualetit, mbase për të shurruar, po mbase edhe për të drejtuar e lustruar flokët, ndërsa Likja mbante lart me të dyja duart një tabelë me numrin 13. E rrotullonte pa u ndalur sa nga klientët aq edhe nga personeli i lokalit.
E kisha humbur përqëndrimin dhe nuk e kisha vënë re Edi Ramën. Kishte dalë edhe ai nga fundi i filxhanit dhe kishte zaptuar ekranin e madh të televizorit, në murin përballë. Jepte e merrte me duar e me këmbë në një manifestim force, po kaq të turpshëm e grotesk në Lungomaren e Vlorës. Ishte në një realitet krejt tjetër. Pa ushtarë të armatosur, pa polic me kallash, pa Monën, pa Lulin, pa Liken. Ata nuk ekzistonin më për të. I vetmi njeri për t’u mundur nga Edvin ishte Doktori.
Vërtet, pyeta veten, Po Doktori ku është? i ngula edhe një herë sytë në fundin e filxhanit si për t’i shkuar absurdit deri në fund. Dhe nuk kisha gabuar. Si i ngecur në llum, në fundin e filxhanit përpëlitej Doktori. I pazoti për të dalë në krye. Me sa duket nuk mbanin më vlagë stërvitjet dhe garat e tij të dikurshme të notit në plazhet e Jonit.
I vetmi njeri për t’u mundur nga Edi Rama është Doktori, përsërita me vete si në gjendje jermi.
Natyrisht në not.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




