Vrasja në Ndroq/ Autori dorëzohet vetë në polici
Vrasësi i dyshuar i Alfred Dedjas, Julian Gjoshi është dorëzuar në Polici, 24 orë nga ekzekutimi i 50-vjeçarit në Ndroq të Tiranës, teksa Policia dështoi ta arrestonte pas ngjarjes së rëndë brenda në lokal.
Sipas Policisë, pas gjetjes dhe bllokimit të automjetit të dyshuar që kishte përdorur autori Julian Gjoshi, si dhe bllokimit të rrugëkalimeve dhe pamundësisë për të qëndruar i fshehur, autori i dyshuar u dorëzua.
Armën që ka përdorur për vrasjen e Dedjas, autori i dyshuar Julian Gjoshi ia ka dorëzuar Policisë, përmes avokatit të tij.
26-vjeçari rezulton person me precedent penalë, pasi më 2021 është arrestuar për armëmbajtje pa leje, por që është arritur të lirohet.
Grupi hetimor dyshon nga hetimet e deritanishme se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të një konflikti për motive të dobëta mes autorit dhe viktimës gjatë kohëve të fundit.
Mësohet se Gjoshi ka shfaqur çrregullime gjatë dorëzimit të tij tek autoritetet.
Sa i përket armës së krimit, ajo është sjellë në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Tiranë nga avokati i 26-vjeçarit.
Tiranë
Në vijim të veprimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 01.12.2024, ku rreth orës 15:30, në një lokal në Ndroq, mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi A. D., rreth 50 vjeç, ju informojmë se:
Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të Policisë së DVP Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, kontrolleve të shumta të ushtruara bazuar në inteligjencës policore, gjetjen dhe bllokimin e automjetit të dyshuar që kishte përdorur autori, si dhe bllokimit të rrugëkalimeve dhe pamundësisë për të qëndruar i fshehur, autori i dyshuari u dorëzua në Polici.
Në vijim të veprimeve Specialistët për hetimin Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ndalimin e autorit të dyshuar, shtetasit J. Gj., 26 vjeç, banues në Shijak.
Për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, për sigurimin dhe sekuestrimin e provave dhe kapjen e ndalimin e autorit, Strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Tiranë, kanë punuar me profesionalizëm në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe strukturat e tjetra të Policisë së Shtetit.
Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


