Vtingu në politikë/ Boçi: Jepini fund teatrit, reagon Ruçi: Nuk ngutemi për…
Partia Demokratike e cilëson farsë procesin e konsultimeve me shoqërinë civile dhe botën akademike, që maxhoranca ka nisur për nismën ligjore të propozuar nga opozita për vetingun në politikë. Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, i kërkoi kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, të mos e zvarrisë nismën kushtetuese të opozitës, duke e futur në kalendat greke, duke theksuar se shoqëria e kërkon dhe e mbështet vetingun e politikës.
“Kjo maxhorancë duket shumë e vendosur të sjellë në seancë ligje speciale, ligje që nuk konsultohen fare as me grupet e interesit dhe as me publikun, kërkon që ta fusë diskutimin për ndryshimet kushtetuese në kalendat greke. Unë gjykoj se nëse ka një botë veç shoqërisë civile, që e ndien më shumë ndikimin e krimit në politikë në Shqipëri, nisur nga fakti që edhe vetë jam pjesë e saj, kjo është bota akademike. Të gjithë e dimë shumë mirë se krimi i veshur me veladonin e politikës a politika e pasur me agresivitetin e krimit, ka kapërcyer kangjellat e universiteteve, ka shpërthyer portat e universiteteve dhe ka marrë peng jo vetëm procesin e zgjedhjeve në universitete, por edhe procesin e emërimeve në universitete. Ka kapur dhënien e doktoraturave, dhënien e titujve, me një formalizëm që të gjithë e pranojmë këtë dhunë politike dhe kriminale, madje dhe nuk bëzajnë”, tha Boçi.
SEANCAT
Përfaqësuesi i opozitës bëri të qartë se nga pastrimi i politikës nga krimi varet e ardhmja demokratike e Shqipërisë, varen zgjedhjet e lira. “Pa të drejtën e votës, nuk mund të kemi ne pushtetet e tjera, që duam, s’duam ne, burojnë nga politika, dhe në qoftë se burimi është i ndotur, në qoftë se burimi është i kriminalizuar, atëherë çfarë produkti do të dalë? Ku e kemi sot ekzekutivin? Me fakte, është i kriminalizuar. Ku e kemi sot Parlamentin? Me fakte, i kriminalizuar. Dhe ne do të duhet të besojmë se sistemi i drejtësisë që do të dalë, nuk do të jetë i kapur nga kjo politikë e kriminalizuar? Është iluzion! Prandaj, kërkesa jonë është e thjeshtë: Së bashku të bëjmë atë që kërkon gjithë publiku, të bëjmë vetingun në politikë, që është gjëja më e thjeshtë, është detyra jonë. Pra, ka neglizhencë sepse është e paragjykuar, sepse vendimi është marrë, se Kryeministri e ka shprehur, prandaj unë bëj thirrje: Stop këtyre seancave formale! Janë krejtësisht formale. Jepini fund këtij teatri!”, sqaroi deputeti i PD-së dhe braktisi mbledhjen.
REAGIMI
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, sqaroi se maxhoranca dhe Kuvendi nuk kanë asnjë nevojë të nxitohen kur bëhet fjalë për një ndryshim kushtetues. “Ne nuk kemi ftuar universitetet e rretheve në këtë takim, pasi e kemi parë të arsyeshme të shkojmë ne tek ata. Kuvendi ka procedura strikte sipas Kushtetutës dhe Rregullores së vet. Jemi duke i zbatuar. Është vlerësim për nismëtarët që komisioni mblidhet në mënyrë periodike, sipas Rregullores së Kuvendit, Kushtetutës, praktikave më të mira që ka Kuvendi kur bëhen ndryshimet kushtetuese, veç këtyre i jemi drejtuar dhe Komisionit të Venecias. Nuk ka as zvarritje, por nuk duhet të ketë as ngutje në rastin e ndryshimeve kushtetuese”, deklaroi Ruçi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



