Fevzi larg Thesit të Ndyrësive
Erl Kodra
Sipas Blendi Fevziut opozita nuk egziston. Lexojeni tekstin e tij të fundit, pas dekleratave të ambasadorit Donald Lu.
“Lu nuk ka si ta di. Por Lu, foli, sepse për gjithë këtë që po ndodhte nuk po fliste askush. Asnjë reagim. Nuk po fliste as qeveria e thuajse nuk foli as opozita (veç postimeve të Berishës në FB). Nuk po fliste as Ministri i Brendshëm, që për hir të së vërtetës gjithë këto kohë kam besuar se do të sillte një ndryshim në situatën e krimit në vend. Por qenkam gabuar!” -shkruan Fevziu.
Fevzi, opozita nuk ka reshtur së foluri, nëse ke qenë këtu dhe e ke dëgjuar. Vetëm me këmbënguljen e Opozitës dhe Lulzim Bashës personalisht u arrit të miratohej “Ligji i Dekriminalizimit”, një ndër ligjet më të ashpra në botë. Opozita ndërmori lëvizjen më emancipuese dhe shpresëdhënëse që ka nisur ndonjëherë në Historinë Politike të Shtetit Shqiptar. Por ishe ti dhe shokët e tu mediatikë që ndërmorët mënyrat më të pështira të denigrimit të opozitës, madje personalisht kundër Lulzim Bashës, me të gjitha format, mjetet dhe forcën që ju jep “Opininon Tv Klan”. Janë proverbiale ndërhyrjet e tua live, pa minimumin e etikës profesionale, duke i ndërprerë fjalën Lulzim Bashës, duke e fyer me gjithçka kishe në dorë, harbutërisht, me Lorenc Vangjelin me shokë, duke shpikur dhe ushqyer teza perfide kundër Lulzim Bashës dhe opozitës.
A e ndoqe Fjalën e Lulzim Bashës në Parlament o Blendi Fevziu? A e dëgjove me veshë dhe e pe me sy se si i drejtoi gishtin e akuzës Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës? Në të vërtetë kjo është puna e opozitës, por mbase nuk do ta shohësh dhe ta dëgjosh.
Që ti Blendi Fevziu, ta konsiderosh opozitën se po bën punën e saj si opozitë, me sa duket ka vetëm një rrugë: Lulzim Basha, së bashku me gjithë strukturat e Partisë Demokratike, të veshur me antiplumb dhe të armatosur rëndë, të shkoj në Elbasan dhe Vlorë, dhe të arrestoj familjet mafioze. Dhe të siguroj se nuk do të shikonim skena turpi si në ngjarjen e fundit të ndodhur në Elbasan.
Mjaft më me sulme dhe denigrime të neveritshme kundër opozitës!
E di? Shqipëria është një vend i vogël, dhe të gjithë e dinë se kush është kush, çfarë bën dhe me çfarë merret, kujt i shërben, ku i ka dhe si i ka lidhjet. Prandaj Edi Rama e mori i vetëm timonin, o Blendi Fevziu, sepse e ndihmove ti, për arsyet e tua sigurisht, por me metodat më të ulta gazetareske.
Të lutem, nëse nuk i shërben dotë të vërtetës, të paktën mos e mbajë peng atë. Sepse Opozita Shqiptare i humbi zgjedhjet edhe me kontributin tënd dhe të shokëve të tu “gazetarë dhe analistë”, që Edi Rama ju ka rrasur garumbull, të gjithë së bashku në Thesin e Ndyrësive të tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



