Artan Fuga sqaron rolin e Gardës në seli: Nuk duhej të bëhej pjesë e atyre skenarëve
Çfarë do të ndodhte nëse kryetari shkon në stadium dhe bën sherr me tifozët
Profesori Artan Fuga thotë se Garda e Republikës nuk duhet të ishte bërë pjesë e dhunës në selinë e Partisë Demokratike. Në një koment në Facebook, me titull “Trupi i mbretit dhe Mbretëria”, Fuga argumenton se Garda duhet të mbrojë trupin e kryetarit dhe jo godinën dhe kjo gjë thotë ai nuk duhet të ngatërrohet.
Sipas tij, ata kishin të drejtë ta mbanin kreun e PD larg, duke e ndaluar atë që të mos shkonte në një vend ku ishte paralajmëruar dhunë.
“Për këdo që e ka të vështirë kuptimin. Ta zëmë kryetari shkon në pijetore dhe dehet, atje zihet me të dehur të tjerë. Garda nuk ka për mision të hyjë në sherr me pijanecët, por e tërheq kryetarin nga birraria ose e ndalon të dehet atje”, sjell si shembull Artan Fuga.
Kjo është diçka që duhet ndarë thotë Fuga dhe që filozofët e dinin që në kohërat e Mesjetës, trupin e mbretit nga Mbretëria!
Komenti i plotë i Artan Fugës
Trupi i mbretit dhe Mbretëria
Çfarë lidhje ka garda të ruajë ndërtesën e SHQUP-it vetëm Zoti e di!
Garda ndofta ruan trupin e kryetarit të opozitës, por vetëm injorantët në shkencat e së drejtës nuk bëjnë dallimin midis trupit të kryetarit dhe mureve të ndërtesës!
Garda në zbatim të detyrave të saj kishte detyrimin ta mbante larg objektin e ruajtjes së vet, ta siguronte duke e ndaluar të shkonte në një vend ku ishte paralajmëruar dhunë. Por, jo të bëhej pjesë e skenarëve me dhunë në Partinë Demokratike!
Ngatërrimi i këtyre të dyjave duke se i ka vendosur në vështirësi punonjësit e Gardës që të jenë përballë manifestuesve çka nuk është detyra e tyre, dhe mbi të gjitha të jenë përkrah individëve të dhunshëm që ushtruan dhunë të paligjshme.
Për këdo që e ka të vështirë kuptimin. Ta zëmë kryetari shkon në pijetore dhe dehet, atje zihet me të dehur të tjerë. Garda nuk ka për mision të hyjë në sherr me pijanecët, por e tërheq kryetarin nga birraria ose e ndalon të dehet atje.
Ose kryetari shkon në stadium dhe bën sherr me tifozë të tjerë duke u futur në një përleshje me gjuajtje kanoçesh birre. Garda nuk ka për detyrë të marrë pjesë në sherr, por e heq kryetarin që andej dhe e ndalon ose e këshillon mos bëjë të tilla sherre.
Ndani pra atë që filozofët e dinin që në kohërat e Mesjetës, trupin e mbretit nga Mbretëria!
(Shembujt janë krejt të shpikur)
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



