Denoncimi: Si po abuzohet me pronat publike përmes KIS-it
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj lajmit për shembjen e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, duke e cilësuar këtë veprim si një tjetër përpjekje të qeverisë për të maskuar abuzimin me pronat publike nën petkun e projekteve “europiane”.
Sipas saj, pas këtij vendimi fshihet Korporata e Investimeve Shqiptare (KIS), një strukturë që funksionon si mjet i qeverisë për të kaluar prona publike në duar private, pa garë, pa tender dhe pa asnjë kontroll parlamentar.
“Një projekt që në pamje të parë duket europian, por pas fasadës fshihet një histori që shqiptarët e njohin mirë: KIS – një tjetër marifet socialist për të abuzuar me pasuritë e përbashkëta”, shkruan Tabaku në një postim në rrjetet sociale.
Deputetja e opozitës paralajmëron se kjo formë menaxhimi nuk ka asnjë lidhje me standardet e Bashkimit Europian dhe se, nëse do të ndodhte në një vend të BE-së, do të niste menjëherë një hetim për ndihmë shtetërore të paligjshme.
“Në BE nuk ka korporata që përdorin prona publike pa tender, pa transparencë dhe jashtë kontrollit të Kuvendit. Ky model nuk është europian, është klientelist dhe korruptiv”, thekson Tabaku.
Ajo përfundon duke e cilësuar Korporatën e Investimeve Shqiptare si një “leviathan pa kontroll” që po shkatërron konkurrencën, po deformon tregun dhe po rrënon besimin e qytetarëve te shteti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



