2000 bileta falas për koncertin e K West nga pronari i FAFA Resorts

FAFA Resorts dhe pronari i saj, Fatos Çerenishti, janë rikthyer në qendër të debatit pas koncertit të Kanye West në Tiranë.
Sipas një denoncimi të bërë publik në rrjetet sociale, nga resorti dyshohet se janë shpërndarë bileta falas për koncertin për çdo dhomë të hotelit. Në event, sipas të njëjtit pretendim, kanë marrë pjesë një numër i madh turistësh që qëndronin në resort, si edhe pjesëtarë të stafit.
Në denoncim theksohet se FAFA Resorts ka kapacitet akomodues për më shumë se 3 mijë persona, çka ngre pikëpyetje mbi numrin e biletave që mund të jenë shpërndarë dhe mënyrën se si ato janë siguruar.
Debati merr një tjetër dimension për shkak të deklaratave të mëparshme të Fatos Çerenishtit. Ky i fundit ishte shprehur në media se protestat po ndikonin negativisht te aktiviteti i resortit të tij, duke pretenduar se turistët kishin anuluar rezervimet.
Por, sipas autorit të denoncimit, resorti ka vijuar të funksionojë me një nivel të lartë rezervimesh, madje në kushtet e asaj që cilësohet si “full booking”.
Në këtë situatë mbeten disa pyetje që kërkojnë transparencë: Sa bileta janë shpërndarë nga FAFA Resorts? A janë blerë ato nga kompania apo janë siguruar falas? Dhe, nëse janë dhënë falas, nga kush dhe mbi çfarë kriteri?
Pretendimet e publikuara në rrjetet sociale mbeten për t’u verifikuar dhe deri në një sqarim publik nga FAFA Resorts apo organizatorët e koncertit, nuk mund të paraqiten si fakte të provuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



