Qytetaret janë zgjuar, loja e pisët e qeverisë nuk po jep efekt
Gjatë këtyre muajve rezistencë për mbrojtjen e teatrit qeveria dhe bashkia nuk kanë lënë gjë pa bërë: Propagandë, manipulime, mashtrime, përçarje mes artistësh, kërcënime, miklime protestuesish, përdorim njerëzish, sulme nën brez ndaj atyre që nuk u rreshtuan në anën e saj… Në këtë betejë ata kanë gjithëçka në dor përveç të drejtës dhe ndershmërisë. Ata kanë pushtetin, paratë, mediat, institucionet, një tabor me militantë dhe, mbi të gjitha, indiferencën e një populli të përgjumur. E prapë nuk po ia dalin!
Nuk po ia dalin sepse kauza e tyre bie erë kaq shumë sa nuk kanë sesi ta maskojnë. Nuk po ia dalin se njerëzit në krah të tyre janë kaq të konsumuar e të neveritur sa nuk mund të bindin më askënd. Por mbi të gjitha, nuk po ia dalin sepse fatmirësisht ky vend ka ende njerëz me dinjitet e vullnet të hekurt, që dijnë të reagojnë, megjithë pesimizmin që të ngjall realiteti ynë.
Sido që të jetë, shumë njerëz janë zgjuar tashmë dhe kjo falë nivelit të frikshëm të padrejtësisë dhe fodullëkut të këtij pushteti. Protestat, që u reduktuan për ca kohë në një grusht njerëzish, sot janë shtuar me qytetarë që mbushin çdo ditë sheshin e teatrit, më të vendosur se kurrë për të moslejuar prishjen e tij dhe shkatërrimin urban të këtij qyteti. Sot janë rreth 300 vetë që mblidhen çdo ditë për të reaguar dhe qytetarët sa vijnë e shtohen.
E pra, loja e pistë e qeverisë nuk po jep efekt. Ajo i ka konsumuar të gjithë gurët dhe nuk ka çtë bëjë më. Përpjekjet për të përçarë artistët, për të kërcënuar shume prej protestuesve me heqje nga puna, si dhe ofertat për shumë prej tyre, nuk e shuan dot rezistencën. Gjithashtu skenarët e manipulimit me emra artistësh si Piro e Pavlina Mani, Ndricim Xhepa, Enver Petrovci, Esmeralda Metka, Stefan Çapaliku vetëm sa ia nxinë me keq fytyrën qeverisë. E fundit, peticioni i shëmtuar i dërguar presidentit nga një grusht artistësh të përdorur mjerueshëm, nuk pati asnjë efekt përveç indinjatës masive të publikut.
Pyetjet që iu duhen shtruar të gjithë artistëve që nënshkruan peticionin janë: A jeni dakort që teatri i ri, përvec se duke shembur teatrin historik, të ndërtohet duke vjedhur e grabitur truallin publik në zemër të Tiranës? A jeni dakort që teatri i ri te ndërtohet me PPP, pa konkurs, me tjetërsim prone e shkelje flagrante ligjesh? A pranoni të shkatërrojmë Tiranën për një teatër që ju e quani dinjitoz, ndërsa dinjitetin tuaj personal e lini peng në derë të qeverisë? A do të vazhdoni të përdoreni si mashë e pushtetit për të kapur thëngjijtë e saj të abuzimeve për pazare që nuk janë tuajat?
Tashmë gjërat po shkojnë në anën e duhur. Jo vetëm që Presidenti ktheu ligjin e turpshëm që legjitimon aferën më të madhe urbanistike të këtij qyteti, por KE-ja i dha një shuplakë të fortë qeverisë duke i kërkuar llogari për 15 pika që evidentojnë paqartësitë e projektit të saj. Ajo i tha qeverisë se nuk ishte bindëse në shpjegimet e saj, gjë që tregon se qeveria nuk ka argumenta për atë çfarë kërkon të bëjë. Ndërkohë ambasadorë të disa vendeve duket se po sensibilizohen, ndërsa vetë komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn kërkoi gjithashtu shpjegime mbi cështjen.
Suksesi nuk duket larg dhe ky do të jetë jo vetëm një dështim i qeverisë, por edhe turp i atyre që i shkuan pas. Qytetarët duhet të kuptojnë tashmë se vetëm zgjimi i tyre nga përgjumja, mund të japë efekt për ti vënë me shpatulla pas muri ata që po e shesin e blejnë këtë vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



