Tenderin për plehrat ja jep Luan Kaprit
Benet Beci e ka nisur punën si kryetar i ri i Bashkisë Shkodër me shpenzime pa kriter dhe afera korruptive. Pasi mori disa urdhra nga shef Rama për pastrimin e qytetit, duke e paralajmëruar se e ka gati zëvendësuesin e tij, Beci i është futur punës me kokë. Në të njëjtën ritëm po bën edhe vjedhjet e fondeve. Bashkia Shkodër ka firmosur një tender me objekt “Shërbimi i pastrimit zona “Perëndimore“. Sikur duket edhe në hartë pjesa perëndimore përmbledh vetëm një cep të Shkodrës.
Për këtë zonë të vogël Benet Beci do të shpenzojë 950 milionë lekë. Tenderi është firmosur më datë 29 qershor, por duke mos zbatuar rregullat që i dikton ligji “Për Prokurimet Publike”.
Së pari, tenderi ka marrë “Red Flag” për shkak se nuk ka pasur konkurrencë të drejtë, sepse nuk ishte dorëzuar asnjë ofertë tjetër përveç firmës “Rej” shpk në pronësi të Luan Kaprit.
Në këtë rast gara duhej anuluar, por Beci ia fali Kaprit, mikut të hershëm të ‘Rilindjes’. Edhe pse ky i fundit kishte ofertën sa 97% e fondit limit. Duke shënuar kështu edhe shkeljen e radhës në ligjin e prokurimeve. Tjetër fakt që bie në sy është se Kapri do të vjelë para nga shkodranët për 3 vitet në vijim.
Luan Kapri është një biznesmen i njohur për bindjet e tij të djathta, duke qenë se është edhe dhe kushëriri i parë i ish-kryebashkiaku të njohur të Partisë Demokratike në Pogradec, Eduard Kapri. Por, me ardhjen e Rilindjes në pushtet, ai ka arritur të përfitojë shumë tenderë edhe nga bashkitë e majta.
Rasti i Shkodrës është më konkreti, ku Kaprit i lëvroheshin fonde edhe kur në krye të bashkisë ishte Bardh Spahia, situata vazhdon e njëjtë edhe tani që PS mori drejtimin.