Dy vëllezërit nga Puka të pafajshëm pas 24 vitesh në Strasburg
Historia e vëllezërve Lika nga Puka, që shteti shqiptar e dënoi dy herë
9 vite burg për një faj që s’e kishin bërë kurrë
Publik.al |
Në mars të vitit 2001, në fshatin e thellë Lajthizë të Pukës, dy të rinj u arrestuan në mënyrë të dhunshme, të ekspozuar si “autorë” të një grabitjeje të armatosur ndaj pasagjerëve të një autobusi Kukës-Tiranë. Njëri 19 vjeç, tjetri i mitur. Të dy vëllezër. Artur dhe Behar Lika.
Në vend të një jete normale, e ardhmja e tyre u nguju në qelitë e paraburgimit. Pa prova. Pa dëshmitarë. Vetëm me një akuzë që duhej mbyllur me çdo kusht.
Një proces i manipuluar nga fillimi në fund
Gjykata e Pukës, pa hetim të thelluar, pa analiza balistike dhe pa identifikim të saktë nga viktimat e ngjarjes, dënoi Artur Likën me 13 vite burg, ndërsa vëllain e tij të mitur, Beharin, me 5 vite, për shkak të moshës.
Vendimi u firmos nga të gjitha shkallët e drejtësisë shqiptare — për t’u shpallur, më vonë, i turpshëm dhe antikushtetues nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg.
Strasburgu: Shqipëria ka shkelur rëndë të drejtat e vëllezërve Lika
Në vitin 2010, pas një beteje të gjatë ligjore, Strasburgu dha verdiktin e tij: Artur dhe Behar Lika ishin dënuar padrejtësisht. Procesi ndaj tyre ishte një shembull i pastër i mohimit të së drejtës për një gjykim të drejtë. Një turp për sistemin e drejtësisë shqiptare.
Tre vite më vonë, në vitin 2013, Gjykata e Apelit Shkodër vendosi pushimin e çështjes penale dhe njohu pafajësinë e plotë të vëllezërve. Por jeta e tyre tashmë ishte shkatërruar.
“9 vjet e 3 muaj burg për asgjë”
Artur Lika ka dalë nga burgu i dërmuar fizikisht dhe shpirtërisht. Në vend që të përqafonte lirinë si fitore, ai nisi menjëherë betejën tjetër: kërkimin e dëmshpërblimit për çdo ditë të kaluar padrejtësisht pas hekurave.
Për shtetin shqiptar, jeta e Artur Likës vlente 1,000 lekë në ditë. Në total: 3.6 milionë lekë (rreth 30 mijë euro) për 9 vite e 3 muaj burg.
Për vëllain e tij, Beharin që doli nga burgu i thyer psikologjikisht dhe i paaftë për të punuar shteti dha 1.38 milionë lekë, një shumë tallëse që nuk mbulon as trajtimin mjekësor të domosdoshëm.
“Vëllai im është marrë nga bankat e shkollës dhe është kthyer me kartelë mjekësore. I kemi dhënë jetën këtij shteti dhe ai po na vret për herë të dytë,” – thotë Arturi për Publik.al.
Avokati: “Gjykatat tona s’kanë fytyrë – Strasburgu është e vetmja shpresë”
Avokati i familjes Lika e quan vendimin për dëmshpërblimin një poshtërim të dytë institucional. Sipas tij, dëmi moral, social dhe psikologjik që ka pësuar kjo familje është i paimagjinueshëm, dhe vendimet e gjykatave shqiptare nuk kanë marrë asnjëherë në konsideratë humbjen e një jete të tërë.
“Kjo familje ka humbur çdo gjë. Shpresën, të ardhmen, normalitetin. Ne do të kthehemi sërish në Strasburg. Sepse vetëm atje gjykatat e Shqipërisë shkundin nën presionin e turpit,” -shprehet ai.
Historia që përsëritet
Artur Lika nuk është i vetmi qytetar shqiptar që është burgosur pa faj. Por ai është një ndër të rrallët që ka fituar pafajësinë me gjak, durim dhe vuajtje. Megjithatë, edhe pas drejtësisë ndërkombëtare, ai përballet sërish me përbuzjen e shtetit që s’merr përgjegjësi.
Ky është jo vetëm një apel për dëmshpërblim real, por një thirrje për reformë të thellë në drejtësi, që të mos ketë më një Artur tjetër.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



