Edison Ypi/ Kurva hynore
Gjatë shekujve Shqipëria ka pasur vetëm një lloj femre, një të pa përtuar pune, një sokoleshë lufte, një pjellore djemsh; dy në shtëpi, një për dore, një mbi shpinë, një në bark.
Gjatë kohëve moderne, Shqipëria nxorri një koleksion femrash;
Të pabukurat “e ndershme” që godasin me heshta të helmatisura të bukurat “e përdala”.
Zonjat e rënda, që provuan të kenë të drejta të barabarta me burrat – por përfunduan si rruar qethur me biçak Turqie.
Bejleresha të hirshme që shpresuan të martohen me princër të kaltër – dhe e ngrysën jetën të internuara nëpër baltovina.
Madama të sofistikuara që këndonin bukur dhe luanin në piano muzikë serioze – por u cilësuan rruspie.
Hanko të serta dhe të squta që studiuan nëpër universitete dhe u bënë shkencëtare – për të rrotulluar mullinj ere.
Hanëme inteligjente dhe të kultivuara që dinin të bënin muhabete të zgjedhura, që pinin verë në muzg me gotën në parvaz të dritares duke pritur kalorës imagjinarë mbi kuaj me flatra – që këtyre anëve s’u panë kurrë.
Shoqe komuniste, shpirtthata rradhështrënguara, telendare të paepura, flamurtare të luftës të klasave, spiune, denonciatore, shkruajtëse letrash anonime, bushtra mbledhjesh, zagare plenumesh, rruspie kongresesh.
Ka pasur pra, dhe ka, femra Shqipëria.
Por jo si Heroina ime.
E cila nuk shpërndau trakte. Nuk doli partizane. Nuk punoi me rendimente të larta nëpër fabrika, diga, hidrocentrale, fjetore me morra. Nuk shkroi vargje. Nuk i ra pianos. Nuk këndoi. Nuk u martua, si bënë shumica e femrave tona, të cilat, për të mos mbetur xitela, në ngut e sipër muarën burrin e gabuar, dhe pollën bastarda.
Heroina ime ishte krejt ndryshe. Ajo qe e vetmja Femër shqiptare që madhështinë nuk e ka të komplikuar dhe të stisur nga propaganda, por të thjeshtë dhe të vërtetë. E rrethuar nga të gjitha anët me piskama bolshevike, zhul proletar, katastrofa kinse fitore, shëmti’, spiunllëk, urrejtje, cmirë, zili’, vllavrasje, Heroina ime bëri tjetër gjë. Pakrahasimisht më të dobishme se qindra hidrocentrale, mijëra uzina, miliona fabrika; Bëri Dashuri. Vetëm Dashuri. Asgjë tjetër.
Heroina ime ishte një kurvë e quajtur Ganimete Cuka, e cila vari veten bashkë me të ëmën në një kasolle të pisët duke u gdhirë e nesërmja kur e internuan në një fshat të Myzeqesë.
Prej mijëra të internuarve e të burgosurve pati jo pak që duke u dridhur nga të ftohtit i dërgonin letra lutëse diktatorit, i uronin jetë të gjatë, ditëlindjen, festat.
Mundej edhe Ganimete Cuka të gjallonte në atë fshat brenda asaj barrake të pisët, por nuk e bëri.
Po ta dija se ku e kanë groposur, do ta çvarrosja, do ta ngjallja, dhe Ganimeten do ta merrja për grua.
U keni ngritur këngë lavireve. U keni bërë filma fëlliqësirave. Keni gdhendur nëpër mozaike kolerat. Ngrijini një shtatore në mes të Tiranës, më të mirës dhe më të bukurës së femrave tona, kurvës hyjnore Ganimete Cuka.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



