Fatura 4.3 mln € për një foto të kryeministrit Rama me Macronin
4.35 milionë euro për Liceun Francez në Korçë dalin nga fondet tona
Nga fotografia e Edi Ramës me Emmanuel Macron dhe letra “Liceu Francez, Korçë”, u krijua përshtypja e një projekti nën kujdesin francez. Por dokumentet e tenderit tregojnë një realitet financiar tjetër: kontrata prej 435 milionë lekësh për infrastrukturën arsimore të Liceut po financohet me para publike shqiptare. Të paktën në dokumentet e procedurës nuk rezulton një financim francez për ndërtimin.
Më 23 qershor 2026, kryeministri Edi Rama ndodhej për vizitë në Francë, ku zhvilloi një takim me Presidentin Emmanuel Macron.
Nga ajo vizitë, Rama publikoi edhe një fotografi në krah të presidentit francez. Në dorë mbante një copë letër ku shkruhej: “Liceu Francez, Korçë”.
Një fotografi e kuruar politikisht. Një mesazh i shkurtër. Por asnjë shpjegim financiar.
Kush do ta ndërtonte Liceun? A do të investonte Franca? A kishte një marrëveshje financimi mes dy qeverive? A do të përfshiheshin institucionet franceze në ngritjen e godinave të reja?
Për këto pyetje, të paktën publikisht, nuk u dha një përgjigje e qartë.
Fotografia la hapësirë për interpretime dhe krijoi perceptimin se Parisi mund të ishte financiarisht pas projektit për rilindjen e Liceut Francez të Korçës.
Vetë Rama do të shkruante:
“Sot edhe Rilindja e Liceut Francez të Korçës është në tryezën e Presidentit të Francës, si një ndër projektet nën kujdesin e tij, pas vizitës historike në Tiranë.”
Por çfarë do të thotë konkretisht një projekt “nën kujdesin” e Emmanuel Macron?
Dokumentet financiare të procedurës së ndërtimit tregojnë se, deri tani, faturën po e paguajnë shqiptarët.
435 milionë lekë për Liceun, tenderi nga FSHZH
Vetëm pak ditë pas fotografisë Rama–Macron, Fondi Shqiptar i Zhvillimit finalizoi procedurën për ngritjen e infrastrukturës së re arsimore të Liceut Franko-Shqiptar në Korçë.
Më 7 korrik 2026, FSHZH shpalli fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “NDERTIMI” dhe “NDREGJONI”, në procedurën me objekt:
“Ngritja e Infrastrukturës Arsimore të Liceut Franko-Shqiptar të Shkencave dhe Inovacionit, Bashkia Korçë”.
Projekti parashikon ndërtimin e shkollës së re dhe të konviktit.
Sipas dokumenteve të procedurës, oferta fituese është në vlerën 435 milionë lekë, ose rreth 4.35 milionë euro.
Dhe këtu propaganda e fotografisë përplaset me gjurmën e parave.
Në dokumentacionin e procedurës nuk rezulton që këto miliona euro të vijnë nga qeveria franceze.
Nuk evidentohet një grant francez për ndërtimin.
Nuk evidentohet një bashkëfinancim i Parisit për kontratën e shpallur.
L Paratë e tenderit janë para publike shqiptare.
Macron “nën kujdes”, shqiptarët paguajnë faturën?
Rilindja e Liceut Francez në Korçë është, pa diskutim, një projekt me rëndësi historike dhe arsimore.
Liceu i Korçës lidhet me një nga traditat më të rëndësishme të arsimit modern shqiptar dhe me formimin e një pjese të elitës intelektuale të vendit.
Problemi nuk është ndërtimi i shkollës.

Problemi është diferenca mes mesazhit politik që prodhohet për publikun dhe dokumentit financiar që tregon kush paguan.
Kur kryeministri shfaqet me Presidentin e Francës dhe mban në dorë një letër me mbishkrimin “Liceu Francez, Korçë”, ndërsa më pas deklaron se projekti është “nën kujdesin” e Macronit, publiku ka të drejtë të dijë se çfarë përmban ky kujdes.

Është mbështetje financiare?
Është asistencë akademike?
Është përfshirje e institucioneve franceze në kurrikula dhe administrim?
Është marrëveshje dypalëshe?
Apo është thjesht një mbështetje simbolike dhe politike?
Sepse, për pjesën e ndërtimit që del nga dokumentet e tenderit, fatura prej 435 milionë lekësh u mbetet taksapaguesve shqiptarë.
Ku janë paratë franceze?
Publik.al ngre disa pyetje që kërkojnë përgjigje të dokumentuar nga qeveria shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit:
Çfarë marrëveshjeje konkrete është arritur me Francën për Liceun Franko-Shqiptar të Korçës?
A ka marrë përsipër qeveria franceze financimin e ndonjë pjese të projektit?
Nëse po, sa është shuma dhe për cilin komponent të investimit?
Çfarë nënkupton juridikisht dhe financiarisht deklarata se projekti është “nën kujdesin” e Presidentit Emmanuel Macron?
Përse financimi francez nuk evidentohet në dokumentet e tenderit prej 435 milionë lekësh të zhvilluar nga FSHZH?
Deri në publikimin e një marrëveshjeje, granti apo dokumenti financiar që provon të kundërtën, faktet e procedurës tregojnë diçka të thjeshtë:
Rama bëri fotografinë me Macronin. Në letër shkroi “Liceu Francez, Korçë”. Por kontratën prej 435 milionë lekësh po e paguajnë shqiptarët.
Macron mund ta ketë projektin “nën kujdes”.
Faturën, deri tani, e kemi ne.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



