E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kërcet sherri në burgun Koridhalos ,greku vret Jani Aliajn
Bota

Kërcet sherri në burgun Koridhalos ,greku vret Jani Aliajn

Jani Aliaj është i dënuar përjetë nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Çiço. Aliaj njihej ndryshe edhe me pseudonimin “Xheku”.

Burime thonë se Jani Aliaj ishte në proces ekstradimi në Shqipëri.

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur burgun famëkeq të Koridhalos në Greqi, ku një shtetas shqiptar është vrarë brenda qelisë së tij.

Viktima është identifikuar si Jani Aliaj, i njohur edhe me nofkën “Xheku”, 49 vjeç, me origjinë nga Tepelena. Ai ishte një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i shumëkërkuar për vrasje të rënda. Aliaj ndodhej i arrestuar në Greqi prej 31 dhjetorit 2024 dhe priste procedurat e ekstradimit.

Sipas burimeve policore greke, Aliaj është sulmuar me thikë brenda sektorit 3 të burgut të Koridhalos nga një i burgosur grek, gjithashtu i dënuar për vrasje. Autori dyshohet se është i njëjti person që në të kaluarën ka ekzekutuar një tjetër shqiptar, Artur Bashimin, çka ka ngritur dyshime serioze se ngjarja mund të ketë qenë një atentat i mirëorganizuar.

Policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, duke mos përjashtuar pistën e vrasjes me pagesë. Autori është arrestuar menjëherë pas ngjarjes.

Jani Aliaj rezultonte i dënuar në Shqipëri me burgim të përjetshëm për ekzekutimin e biznesmenit Elton Çiço, i vrarë më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pranë një lokali në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit. Ngjarja u cilësua si atentat mafioz dhe u lidh me një zinxhir të gjatë hakmarrjesh dhe përplasjesh të dhunshme mes grupeve kriminale.

Po ashtu, Aliaj kërkohej edhe për një ngjarje tjetër të ndodhur në vitin 2015 në Përmet, ku një tentativë për grabitjen e një sasie të madhe droge përfundoi me persona të plagosur. Për këtë episod, ai përballej me disa akuza të rënda penale.

Në Greqi, Aliaj ishte arrestuar me identitet të rremë, Aleksan Kreshnik, ndërsa më herët kishte qenë i arratisur nga burgu i Korfuzit, ku vuante dënim me burgim të përjetshëm, si dhe dënime shtesë për vrasje, plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, për ngjarje të ndodhura në Athinë në vitin 2006.

Hetimet në Shqipëri dhe Greqi e lidhin emrin e Jani Aliajt me një seri përplasjesh kriminale të nisura pas grabitjes dhe dhunimit të prindërve të Elton Çiços në Tepelenë në vitin 2015, ngjarje që më pas çoi në një zinxhir atentatesh, shpërthimesh dhe vrasjesh në disa qytete të vendit.

Vrasja e Aliajt në burgun e Koridhalos shihet nga autoritetet si një zhvillim me rrezik të lartë, që mund të lidhet me prapavija kriminale ndërkombëtare, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur motivin real dhe autorët që mund të fshihen pas këtij krimi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.