Ndarja e dhimbshme dhe e vështirë, por e domosdoshme nga Berishizmi
AGRON GJEKMARKAJ
Duke kaluar përmes sfidash e trazimesh, mes goditjesh e sulmesh, ja ku jemi sot, ja ku jemi ne, Partia Demokratike e Shqipërisë, të shumtë, të vendosur, për ta mbajtur formacionin e studenteve të Dhjetorit, partinë e lirive properëndimore, proamerikane, proeuropiane, si të tillë patriotike në shërbim të aspiratave për demokraci, integrim e prosperitet të kombit shqiptar.
Ndonëse prezenca juaj këtu është burim i madh shprese e vendosmërie, ne nuk jemi këtu për festë, po për të ndarë e zgjidhur një krizë të madhe që na ka përfshirë! Për fat të keq, ajo që na shfaqet si luftë mes dy personash, pra, midis Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, në të vërtetë është një luftë për dy modele partish, partisë postkomuniste të tranzicionit të Sali Berishës dhe Partisë Demokratike të dekadës apo dekadave të së nesërmes. PD është partia e të gjithëve dhe si e tillë nuk mund të lejojë që kriza e një personaliteti politik si Sali Berisha, që ka dominuar PD-në e tranzicionit të përcaktojë fatin e Partisë Demokratike për sot, nesër e përgjithmonë. Kriza vetjake e personale e personalitetit politik Sali Berisha, raportet e tij personale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë vetëm një shkëndijë që bëri shpërthenin gjithë problemet e akumuluara gjatë 30 viteve. Përgjegjës këtu mund të jetë shumëkush, por askush sa Sali Berisha nuk mund të jetë përgjegjës për krijimin e këtyre problemeve dhe plagëve që ne kemi. Për këtë arsye, pakkush me mend në krye mund të besojë se ai mund të jetë shërues i plagëve që ka shkaktuar vetë.
Do doja që ky Kuvend, kjo parti, për herë të parë të analizojë vetveten në mënyrë kritike dhe analitike dhe kjo do të ishte një shenjë e mirë.
Partia Demokratike sot ka nevojë të bëjë një akt të madh historik. Ajo po pranon krizën e saj të identitetit. Ajo po pranon dhe duhet të bindet për këtë se identiteti i saj nuk mund të jetë identiteti i liderit, gjë që ka ndodhur deri tashti me raportet e saj me Sali Berishën. Ajo duhet të ndahet nga Berishizmi, siç u nda shoqëria nga Enverizmi. Çdo ndarje ka përmasën e saj të dhimbjes dhe trishtimit, por edhe farën e një fillimi të ri.
Pikërisht për këtë duhet thënë që në fillim se Berishizmi sot është enverizmi i demokracisë. Me këtë nuk dua të them se ai është burimi i gjithë të këqijave, madje nuk dua t’i mohoj asnjë meritë Sali Berishës për betejat që ai ka bërë, për cilësitë që ka shfaqur, për arritjet e tij në pushtet. Duke mos e mohuar për asnjë çast respektin dhe konsideratën intelektuale për Sali Berishën, jam i shtrënguar të them se ai sot po sulmon trashëgiminë e vet më të mirë. Madje, po shkon aq larg sa ta kushtëzoje jetëgjatësinë e PD-së, opozitarizmit dhe të djathtës shqiptare me ciklin e vet politik, madje dhe me atë biologjik.
Sali Berishës i shkonte për shtat pritja. Sali Berishës i duhej të sakrifikonte pak nga egoja e pakufishme për pushtet për të mos e çuar PD-në në këtë konflikt të egër vetëshkatërrues. Ai duhej ta bënte këtë për mijëra e mijëra demokratë që e kanë ndjekur ndër vite, që e kanë mbështetur në ditë të vështira, që e kanë ngritur në majat e pushtetit që e kanë bërë Kryeministër, President, që kanë sakrifikuar pa fund për të. Mbi supet e tij mund të rrinte edhe një akt kaq tronditës si shpallja “non gratta”, por jo, ai ndezi luftën imagjinare me SHBA-të duke provokuar vokacionin pro amerikan të demokratëve. Ai nuk la mundësi të mallëngjeheshim e të përfshiheshim nga nostalgjia, na ndau siç ka bërë gjithmonë, duke na vënë epitete të njohura.
Berishizmi në vetvete ka qenë e mbetet gjithmonë një përzierje e retorikës antikomuniste me format komuniste të veprimit e mendimit. Berishizmi nuk ka synuar kurrë dekomunistizimin e vendit. Autoritarizmi, kulti i individit, përdorimi i klientelës së tij kundër ligjit dhe oponentit, sovranizmi gati tribal në konflikt me aleatet tanë themelorë sa herë lëkundesh pushteti i tij, komprometimi i kapitalizmit dhe ekonomisë së tregut duke e orientuar atë në duar oligarkësh, margjinalizimi i të ish-persekutuarve politikë e ish-pronarëve, dëbimi i intelektualëve duke e shndërruar PD-në në parti të tipit leninist sipas parimit partia është Berisha, Berisha është partia, gjuha e ashpër asgjësuese dhe çuarja e vendit për tri herë drejt konfliktit civil, kanë qenë anët e tij negative.
PD kontribuoi të shembej sistemi komunist, por sjelljen komuniste e mbajti të gjallë brenda saj, duke promovuar jo pak frikën, servilizmin, nënshtrimin, spiunllëkun e në shumë raste paaftësinë. Ajo lejoi vesin për hir të kontrollit, i beri të vetët hajdutët dhe spiunet për t’i shantazhuar sa më lehtë.
Kjo është një ndarje e vështirë sepse është dominuese në 30 vjet, ky është modeli sundues i politikës sonë me rrënjë historike e kulturore.
Prandaj, nëse Lulzim Basha dhe ne demokratët e PD-së duam t’ia ndryshojmë kursin kësaj partie, duke e orientuar drejt së nesërmes nëse të gjithë së bashku duam të rikthehemi sërish fitues, duhet ta tejkalojmë, pse jo ta rishpikim vetveten, ta rinkonceptojmë ofertën tonë për shoqërinë, ta rigjejmë misionin tonë politik e shoqëror. Vetë zoti Basha duhet ta gjykojë në mënyrë kritike shkollën ku u formua si politikan, ambientin me të cilin bashkëjetoi format e të drejtuarit e të bërit politike. Vetë Lulzim Basha e ka jetike t’i japë fund modelit politik të promovuar nga Sali Berisha dhe nën ndikimin apo presionin e tij edhe nga vetë ai, modelit që kultura politike e PD-së dhe ajo shqiptare imponon, model që anon nga arroganca, narcizmi, moskonsiderimi dhe vijon nga faqja 1 autoritarizmi, ku lideri është gjeni, i cili posedon arsyet racionale ndërsa qytetarët turma që duhet të binden.
Në këtë kontekst, PD duhet të kthehet në parti të rregullave dhe mundësive, pa shpikur gjera jashtëtokësore, por të ndjekëe modelet e partive popullore europiane, të cilat sanksionojnë garën për çdo gjë e për këdo.
Në statutin e Partisë Demokratike duhet të shkruhet me germa kapitale se kush humbet zgjedhjet e certifikuara nga OSBEODIR, largohet pa ndoshta e sikur po kaq ata të cilët për arsye meskine brenda partisë punojnë që të dështojë lidershipi dhe projekti i përbashkët.
Në PD duhet të marrë fund praktika e emërimeve dhe e kooptimeve siç ka ndodhur me kryesinë aktuale, kjo është një metodë për të mbajtur rreth vetes një valvul besnikërie sigurie që lë shije të keqe..
Në PD, karriera duhet të sigurohet përtej vullnetit të liderit. Në vite është folur shpesh për hapje, kur në fakt ato kanë qenë rekrutime personale. Elitat e këtij vendi i shohin me përbuzje partitë politike sepse ato kanë kuptuar thelbin hipokrit të marrëdhënies. Ato i ftojnë intelektualët, i marrin nga qendra e shoqërisë për t’i përdorur si ushtarë dhe i hedhin në periferi të partisë duke iu vënë mbi krye çiçikove, të cilët kanë besimin e liderit, personazhe të frustruar, servilë ndaj shefit dhe arrogantë, tejet arrogantë me ata që i konsiderojnë vartës, me anëtarësinë, me qytetarët. PD në kryesinë e saj, në Këshillin Kombëtar e kudo ka nevojë për personalitete të forta me kontribut publik dhe jo për anonimë të stimuluar.
Ajo ka nevojë për opozitarë të fortë të debatit dhe terrenit e jo monologues patetikë “Facebook”-u. Demokratët kanë nevojë për ndjesë, për taktikat politike të përdorura, të cilat nuk patën sukses si djegia e mandateve dhe moshyrja në zgjedhje, e cila nxiti revanshin për luftë klasash, ndaj demokratëve duke i linçuar e dëbuar ata nga çdo vendimmarrje a vend pune.
Bashkë me mikun e kolegun Mark Marku kam folur përgjatë verës mbi nevojën e rithemelimit të PD-së, tezë që u keqpërdor dhe po keqpërdoret nga Sali Berisha, i cili heshti kur ne folëm. Më pas, kur u cenua personalisht dhe u ndje i rrezikuar për vete, mblodhi rreth vetes plot demokratë të zhgënjyer me të drejtë nga humbja, të lodhur me mjaft të drejtë nga pritja, të dëshpëruar me po aq të drejtë nga mungesa e perspektivës, u vuri në krye një kastë të konsumuar të njerëzve të pushtetit të PD-së në vite, ish-ministra, ish-deputetë, ish-drejtues të pushtetit të PD-së në nivele të ndryshme, kastë që nuk ka asnjë lidhje me të parët, dhe shpalli rithemelimin e PD-së, por tashmë si një parti puniste, revolucionare, antiamerikane, antiperëndimore. Rikthimi i çdo figure të konsumuar e me koston nuk është rithemelim, është ri shkatërrim.
Shumë parti të djathta europiane janë rithemeluar, rindërtuar dhe ia kanë dalë. Nga viti 1992 e këtej shumë individë dhe flukse e kanë braktisur PD-në, por përsëri ajo ka mbetur parti e madhe, por jo parti e parë. Ajo mundet dhe do të bëhet e tillë nëse ekziston vullneti për hapje e bashkim me garanci në statut, për rregulla që i sanksionojnë këto, për ide me autoritet dhe jo autoritarizëm tarafi, për harmoni brezash dhe jo shtypje brezash, me këndvështrim nga rinia dhe elitat intelektuale e profesionale. Pas kësaj që ka ndodhur nuk mund të vazhdojmë me rutinën tonë, me të njëjtin ligjërim, me të njëjtat ide, gjithçka duhet të ndryshojë duke kapur ekzigjencat e shoqërisë për përfaqësim jo duke ia imponuar përfaqësimin.
Ne duhet të mblidhemi përsëri e sa më shpesh në kuvende të tilla.
Ballafaqimi, nevoja për ta bërë PD-në fituese e Shqipërinë të denjë për fëmijët tanë duhet të jenë shkolla jonë politike, për to ia vlen çdo sakrificë, çdo përpjekje, çdo mundim.
Ne jemi përpara zgjedhjeve lokale, një provë për ne, po kaq një mundësi e madhe ku duhet të shohim edhe përtej PD-së për të ndërtuar aleanca të gjera me qytetarët në shërbim të fitores dhe transformimit.
Mbi ju bie një përgjegjësi historike. Anëtarësia e PD-së ju ka votuar në masën 83%. Kjo ndodhi në një kohë kritike për PD-në. Do ju duhet të merrni vendime të vështira dhe do na duhet të marrim vendime të vështira, më i vështiri i të cilëve mendoj se është shkëputja nga një traditë politike e jona që na ka sjellë në këtë pikë krize. Një lider nuk e bën të tillë rutina, por momentet e vështira, tronditëse, shpeshherë në pamje të parë të pazgjidhshme. Ndertoni modelin tuaj të liderit duke ia lënë modelin Berisha historisë, promovoni një traditë të re politike, shoqërojeni këtë parti drejt proceseve transformuese pa hezitim me atë vendosmëri që mbrojtët aleancën me Perëndimin në këto ditë të vështira dhe ne do të jemi fitues dhe Shqipëria do të ndryshojë.
Vetëm kështu, të gjithë bashkë, mund të dalim nga kjo situatë e rëndë për ne dhe për vendin, ku nga një anë kemi një qeveri që vjedh gjithçka: votat, taksat e qytetarëve, pronën, shkurt që po na heq përditë mundësitë për të jetuar në vendin tonë e nga ana tjetër goditemi nga organizata antiamerikane që po tentojnë që me shpenzimet tona dhe duke i manipuluar njerëzit tanë të na izolojnë nga bota demokratike si në kohën e Enver Hoxhës.
Demokratët e dinë këtë pa dallim e përjashtim përtej emocioneve të rastit e çastit. Incidentet historike ndodhin si më 25 prill, por po kaq korrigjohen sepse shoqëritë dhe popujt i kanë instrumentet, sidomos kur liria vullneti e qëndresa behën bashkë si në këtë ditë!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



