E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Panairi i kotësive (rilindëse)
Sot

Panairi i kotësive (rilindëse)

Rilindja, ardhur në pushtet me votat e patundshme e historike, që s’duan t’ia dijnë për zullumet e qeverisë së vet, bashkuar me votat e frikës a joshjes së pushtetit e ato të parasë e dhunës së krimit, falë edhe gabimeve strategjike e taktike të opozitës, qeveris e pa trazuar vitin e parë të mandatit të tretë.

Por, zhvillimet e vrullshme në kampin opozitar nga shtatori 2021 deri mars 2022 e lanë në hije aksionin qeveritar e pushtetar të Edi Ramës, e ai, që nuk jeton dot pa protagonizëm medietik u rrek të shpikte e të sajonte lloj-lloj aktivitetesh e qëndrimesh për të tërhequr pozitivisht vëmendjen por më kot.

Negativisht po, e vetëm negativisht, nuk doli dot nga radari: qoftë për çështjen e prishjeve pa kundërshpërblim të drejtë të shtëpive, qoftë për çështjen e shpërdorimit të të dhënave personale, deri edhe pagat, të qindramijërave shtetasve, qoftë për humbjet seriale të betejave kushtetuese me Presidentin, qoftë për kundërmasat e dobëta, simetrikisht e kokëfortësisht ekstreme në rastin e energjisë elektrike kundrejt naftës, apo të zbatimit të disa prej kërkesave ultramajtiste (bordet e çmimeve) të protestuesve krahas denigrimit të tyre përfshirë nënkuptimin se ata i shërbejnë, qoftë edhe pa dashje, Rusisë, e deri tek skandali i inceneratorëve që me gjasa “do djegin më shumë njerëz se sa plehra”.

Për të dale nga qerthulli negativ e për të tërhequr sa do pak vëmendje pozitive Edi Rama (ri) shpiku “Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë” në shkurt-mars, mbajti kongresin e radhës se partisë në prill ndërsa lajmëron se do vijojë, shtator e tutje, me kongrese tematike ku partia, ai bashkë me partinë e në krye të saj, do kontrollojë, vleresojë e drejtojë, sistematikisht Qeverinë e burokracinë.

Nëse kjo është vetëm fasada, e keqja më e vogël, thjeshtë panair i kotësive. Nëse është edhe përmbajtja, thelbi i ri i mandatit të tretë, kjo është rruga drejt partisë-shtet. Por duke i qëndruar hipotezës së të keqes më të vogël, pra panairit, le të shohim disa nga kotësirat e tij.

Këshillimi Kombëtar, si në tërësinë e tij, si thuajse në çdo pyetje, si në metodë, si në rezultat, si në dobi, është kotësi e thes kotësish. Shumë autorë e folës janë marrë me këtë çështje ndaj do ndalem vetëm në gjërat më pikante.

Kotësia fillon që nga pyetja 1, ajo gjoja më e dhembshura, për mbrojtjen e posaçme për nënat me tre e më shumë fëmijë e këtu përpiqem të kuptoj se cilët janë ata shpiritkazmë që kanë votuar kundër. Nga kjo pyetje e parë, ku i bëhet thirrje humanizmit, kalohet në ekstremin tjetër, tek pyetja e 2-të për dyfishimin e dënimeve penale për përsëritësit – pyetje që i ngacmon turmës instiktin inkuizitor – e kjo vijon edhe me pyetjen e 3-të për evazionin me pagat, atë të 8-të për evazionin e biznesit të madh, atë të 9-të për ndotësit e mjedisit, e deri tek ajo e 10-ta për pezullimin e gjyqtarëve që nuk kanë kaluar ende vetingut.

Kjo e fundit është e paarritshme në shejtanbudallallëkun e vet kur kërkon mendimin e turmës nëse “gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar ende Vetingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë kur vendimarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin”. A bën ndopak kuptim kjo pyetje kur në fakt Kushtetuta dhe legjislacioni e trajtojnë dhe institucionet e kanë këtë kompetencë me kohë e vakt, jo vetëm për pezullim por edhe për shkarkim e ndëshkim, jo vetëm për ata që nuk e kanë kaluar por edhe për ata që e kanë kaluar Vetingun.

Le pastaj kjo kumbulla ke e 7-ta që pyet nëse “duhet vënë detyrimi për paraqitjen e certifikatës se vaksinimit në mjediset publike të mbyllura dhe në tubimet e mëdha”, pyetje që bëhet në shkurt-mars 2022 kur COVID19 ishte harruar me kohë e vakt në Shqipëri, ku më së shumti nuk u zbatuan rregullat e kufizimet e nevojshme e ndërsa pas dy viteve pandemie jemi në top-listën europiane e botërore si për përqindjen më të lartë  të vdekjeve shtesë edhe për raportin më të lartë të gënjeshtrës, pra të raportimit më të ulët zyrtar të vdekjeve nga COVID19 kundrejt vdekjeve shtesë.

Sa për legalizimin e kanabisit “për qëllime mjekësore” apo për amnistin e plotë ndaj “depozitave të emigrantëve”, respektivisht pyetjet 6-të dhe 5-së, këto janë të dyja nisma të mëparshme të kësaj qeverie, të pezulluara përkohësisht për shkak të kundërshtisë së brendeshme e të jashtme, ndaj pyetjet bëhen për qëllime komplet të tjera, propagandistike e kamuflazhi, duke përdorur emërtime komplet jo kompaktibël me qëllimin e vërtetë.

Le pastaj ajo pyetja idiote që i bëhet shqiptarëve nëse “duhet të ndahet aplikimi i Shqipërisë për anetarësim në BE nga ai i Maqedonisë së Veriut në procesin e çeljes së negociatave me Bashkimin Europian”, a thua se e kanë shqiptarët në dorë ndarjen, apo ajo dokrra e mbështetjes së “Ballkanit të Hapur”.

Kongresi i 9-të prillit u ngrit mbi dhe bluajti rezultatet e konsultimit kombëtar. Në aktivitetet jashtë e brenda sallës së Pallatit të Kongreseve, folësit VIP, me skenare të parafabrikuara spektaklesh televizive e ku anëtarët e partisë, pjesëmarrës në aktivitet, trajtohen edhe si spektatore edhe si figurante filmash të realizmit socialist, u rrekën të tërheqin vëmendjen e publikut televiziv për sukseset e mëdha të arritura dhe për premtimet edhe më të mëdha për t’u realizuar.

Lëvdatat për idhullin Rama arritën majat ndërsa vetë ai premtoi se partinë do ta bëjë mbikqyrësen por edhe udhëheqësen e shtetit. Mbikqyrjen partiake të shtetit do ta realizojë me metodat partiake të zakonshme deri e duke përfshirë akuzat me pyetsore e letra anonime të anëtarësisë, metodë kjo e përdorur edhe nga PPSH por edhe në fillim të çdo mandati të ri të mëparshëm të Edi Ramës.

Ndërkaq, udhëheqjen partiake të shtetit do ta realizojë me serialin e kongreseve tematike partiake për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë&blektorinë etj, etj nga shtatori e tutje. E, nga kjo që dëgjova sot në Kogresin e Kotësive, më rierdhi para syve pamja e një pankarte të madhe (billboard me terminologjinë e sotme) në sheshin qëndror të Durrësit, tek Pallati i Kulturës, në qershor 1990, me përmbajtjen: “Simpozium Shkencor: Rëndësia e emulacionit socialist në fushatën e korrje-shitjeve. Nën kujdesin e Komitetit të PPSH, rrethi Durrës.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.