Propaganda mullar!
Dekori baritor i kongresit të djeshëm me delegatë partie të rehatuar “dy copë për mullar” dhe komisarë politikë që bilbilosin rrugëve të qytetit, ishte vetem preludi i një dite të errët në historinë e pluralizmit shqiptar…një ditë kur propaganda e partisë të kthyer në shtet tashmë, u shtrua këmbëkryq duke uzurpuar me dhunë hapësiren publike por edhe atë mendore të qytetarëve…në një ditë pushimi.
Për shumë nga ne që i kemi disa vite mbi shpinë, ishte një kthim pas në të shkruaren tonë bardhë e zi, packa se tashmë si një film me ngjyra e “xixa”…Ndërsa brezat më të rinj, dje kishin rastin të shikojnë “live” atë të cilën mund ta kenë lexuar nëpër librat e historisë…në i paçin patur hapur sytë e mendjes!
Për ndonjë që ka akoma dyshim se vendi realisht po shkon drejt greminës nga e cila do të duhen dekada për të dalë, i ftoj të shikojnë vetëm “sterrën” psiqike dhe shpirtërore që reflekton “Kalorësi i fytyrës së vrerosur” që ka kapur shtetin për fyti dhe që cakton jo vetëm me kë duhet të merret drejtësia, kur e si duhet të pushojë së ekzistuari opozita por edhe në cilin mullar propagande do të ulet X fshatar nga Y katund…
Mund të themi pa frikë se fjala “mullar” është ajo që i shkon më mirë ditës së djeshme …një mullar i frikshëm propagande, deliri e dënglash që i kanë zënë horizontin e frymën shqiptarëve.
Pyetja është: edhe sa kohë do të vazhdojë shoqëria shqiptare e sidomos intelektualët që të bëjnë “gjumin e drekës” nën këta mullarë?
Ndërkohë opozita duhet të kuptojë që koha nuk pret…ndaj bën mirë të mbledhë veten sa më parë, me hir apo pahir.
E kjo jo thjeshtë për nevojat e veta ekzistenciale, por mbi të gjitha për aspiratat për ndryshim të elektoratit opozitar i cili ka mbetur në mes të katër rrugëve…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



