E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rudina Hajdari:Përbalt për të rënë në sy, por do harrohesh Mustafa
Uncategorized

Rudina Hajdari:Përbalt për të rënë në sy, por do harrohesh Mustafa

Polemika/ E bija e Azem Hajdarit i përgjigjet Muç Nanos 

Analisti Mustafa Nano ka ngjallur sërish polemika me një shkrim të tij mbi Azem Hajdarin. Në një shkrim të ditës së djeshme ai e cilësonte “dhjetoristin” si njëri “pa ideal” e që s’meritonte të quhej hero.

Mustafa Nano: Azem Hajdari ishte një njeri i zakonshëm. Shumë i zakonshëm. Me prerje e poza prej të forti. Me IQ të ulët. Mund të thuhet që kishte nuhatje politike, dhe kjo e ndihmoi që të spikaste, por nuk i vlejti për të bërë karrierë, dhe aq më mirë që ndodhi kështu. Azemi nuk e meritonte një zyrë shteti. Nuk ishte njeri për zyrë. Do kishte bërë shumë të pabëra, nëse do i kishin dhënë një përgjegjësi publike. E nëse nuk ia dhanë, këtë e kanë bërë edhe për të mirën e tij. Pa e pasur si qëllim të mirën e tij. Sepse Berisha, që e kish në dorë për t’i dhënë një përgjegjësi, e kishte si halë në sy. Dhe ish për këtë arsye që nuk ia dha një post, e jo sepse nuk e përfytyronte dot Azemin në një zyrë. Në fund të fundit, Azemi do ishte një zyrtar më i denjë se shumë të tjerë që Berisha i ka zgjedhur më pas për t’i patur vartës. Nuk e kishin për qëllim të mirën e tij, por ata që e kanë dashur dhe e duan Azemin si personazh të historisë, duhet të jenë të kënaqur që ai nuk mori një post publik. Nuk kish për të qullosur gjë. Madje, do kish katranosur gjithçka. E kështu, idhulli i tyre do të humbiste edhe më.

Azemi vetë nuk kishte ideal. Jo për ndonjë gjë, por ai as që e dinte se çfarë ishte një ideal.”

Në polemikë me Nanon është përfshirë e bija e Azem Hajdarit, Rudina, e zgjedhur rishtaz deputete e PD në zgjedhjet e 25 qershorit. Ajo shkruan se Mustafa Nano ka vetëm një qëllim me provokimet e tij: ai përbalt për të tërhequr vëmendje, por nuk do t’ia arrijë të mbetet në histori.

Rudina Hajdari: Kur po e diskutoja këtë artikull me gazetarë të mediave ndërkombëtare, përgjigja e tyre ishte paekuivok- një shembull se si të shkruash një artikull për të ofenduar dhe denigruar figurën e një personi dhe nuk është një shkrim për t’u botuar, si nga ana ligjore ashtu edhe nga etika gazetarske…

…Mesa duket, artikujt përbaltës janë specialiteti i vetëm i tij. Ai nuk do të fitojë ndonjë çmim ndërkombëtar në gazetari për këtë dhe kjo shpjegon se pse shkruan në mënyrë kaq disinformuese. Gazetarët britanikë i konsiderojnë këto artikuj të Nanos si “gazetari për faturat e dritave”.

…Si një kasnec përbaltosës, i injoruar nga publiku, ai filloi të merrej me figurën kombëtare e ndërkombëtare të Skënderbeut, duke përdorur citate nga qarqet e errëta serbe për të çmontuar figurën e Skëndërbeut nga origjinaliteti i të qenit shqiptar.

Me një publicitet të pakët në media, i hidhuri Nano duket xheloz. Ai është i pafuqishëm dhe kapi rastin për të shpërthyer xhelozinë e tij ndaj atyre që e adhurojnë Azem Hajdarin. Në vend që të shprehte sado pak mirënjohje për lirinë që i dha Shqipërisë, Nano bën çmos për ta ofenduar.

… Ai është nga ata që abuzojnë moralisht dhe ofendojnë për të tërhequr vemendjen. Shtatoret përfaqësojnë një histori të gëzueshme në historinë tonë të dhimbshme. Nano u angazhua për ta prishur këtë moment-mbase për shkak se puna e tij do të përfundojë në gjirizet e Google-it. Sot atij mund t’i duket vetja i njohur, por nesër do të harrohet ndërsa Azem Hajdari do të jetojë përgjithmonë”.

Në shkrimin për Azem Hajdarin, Mustafa Nano provokon duke u përpjekur ta çmitizojë figurën e tij, teksa flet me ironi ndaj ngritjes së busteve. “Dhe nuk është hero si të gjithë heronjtë. Përkundrazi, matur me masën e bronzit të harxhuar për të, është më i madhi i heronjve. Është hero, për të cilin janë ngritur disa statuja e memoriale në Shqipëri. Për sa u takon statujave, ato janë më të mëdhatë, pas asaj të Skënderbeut, në këtë vend. Dhe mjafton ky fakt për ta butaforizuar krejt figurën e Azem Hajdarit”.

Mustafa Nano ka hapur këto kohë polemika edhe mbi figurën e Skënderbeut apo besimet fetare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.