Shkolla pa licencë që dekoron fëmijët dhe shkon në Parlament
Në hetim drejtuesja e OJF-së në Lezhë Klementina B. Shahini
publik.al | Investigim | 19 Qershor 2025
Një skandal me përmasa të frikshme është duke u zbuluar rreth shkollës së palicensuar “Lezha Academic Center” në qytetin e Lezhës, e drejtuar nga Klementina Shahini. Pas nisjes së hetimit nga Krimi Ekonomik për ushtrim të aktivitetit arsimor pa licencë dhe evazion fiskal, tani në skenë dalin edhe dëshmitë tronditëse të prindërve për abuzime sistematike ndaj fëmijëve dhe shpërdorim të besimit të komunitetit.
Krimi Ekonomik në Lezhë zbulon shkollën e palicensuar dhe nis hetimet ndaj Klementina Shahinit.
WebLajm.com mëson se Lezha Academic Center funksionon me nipt numër regjistri tregtar si Organziatë Jofitimprurëse me objetin “ORGANIZAT JOFIMPRURES,EDUKUES,FETAR DHE BAMIRES.
Të dhëna nga regjistri OJF-ve
L17818591L ALBANIAN MENNONITE EDUCATION (A M E )
KLEMENTINA B SHAHINI 0215 22450“LAGJIA BESLIDHJA,RR HYDAJET LEZHA
ISH HOTEL LETI0″ LEZHE
ORGANIZAT JOFIMPRURES,EDUKUES,FETAR DHE BAMIRES
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen K. Sh., 66 vjeçe, banuese në Lezhë, pasi drejton një shkollë private dhe nga verifikimet rezultoi se nuk ka liçensë për arsimin fillor. Gjithashtu, dyshohet se 66-vjeçarja bënte punësime sezonale të stafit pedagogjik, me periudha 3-4 mujore dhe nuk i deklaron si punësime të ligjshme duke shmangur detyrimet tatimore.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Shkollë pa licencë, me çmime në dollarë dhe pa etikë njerëzore
Një grup prindërish nga Lezha kanë reaguar publikisht ndaj asaj që e quajnë një mashtrim të kamufluar nën emrin “Lezha Academic Center”. Ata denoncojnë se kjo shkollë, që reklamohet si institucioni i dijes me frymë amerikane, në fakt nuk përfaqëson asnjë vlerë arsimore ose etike të atij modeli – përveç tarifave të kripura në dollarë amerikanë.
“Na marrin lekët për muajin e plotë, edhe pse mësimi mbaron më 13 qershor” – thonë prindërit, duke treguar se shkolla i kërkon pagesën e plotë për muajin, pavarësisht se procesi mësimor mbyllet në mesin e muajit. Si të mos mjaftonte kjo, shkolla ka pushuar kuzhinieren për të shmangur pagat, duke lënë fëmijët në mëshirë të ushqimeve të jashtme që shiten me çmime të larta, si hamburger dhe molto.
Uji – një luks?
Sipas dëshmive, fëmijëve nuk u lejohet të marrin ushqim nga shtëpia, ndërkohë që në rast se ndonjëri harron të marrë ujë, nuk i ofrohet asnjë alternativë deri në përfundim të ditës mësimore në orën 14:00. Në një klimë që shkon mbi 30 gradë, mungesa e ujit për fëmijët është jo vetëm skandaloze, por edhe rrezik për shëndetin e tyre.
Prindërit: “Mungesë totale transparence”
Në një kohë kur shkolla duhet të jetë institucioni më transparent për prindërit, këta të fundit thonë se “Lezha Academic Center” ka një mur heshtjeje dhe arrogancë, duke shmangur çdo kërkesë për sqarim dhe duke injoruar shqetësimet e komunitetit.
Kjo situatë alarmante tregon për një sistem të çrregullt arsimor, ku një OJF me status jofitimprurës, por me çmime të kripura dhe veprimtari të jashtëligjshme, ka arritur të operojë lirshëm në një qytet të vogël si Lezha – me miratimin e heshtur të institucioneve.
Shkolla është aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Lezhës për ushtrim të paligjshëm të arsimit dhe evazion tatimor, ndërsa publik.al do të vijojë të ndjekë me vëmendje këtë dosje që përfshin jo vetëm shkelje ligjore, por edhe abuzim moral dhe etik ndaj fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



