E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqiptarët nuk kanë nevojë vetëm për bukë, ujë dhe rrugë!
Sot

Shqiptarët nuk kanë nevojë vetëm për bukë, ujë dhe rrugë!

Mentor Kikia

Asnjë surprizë e asnjë zhgënjim edhe në këto zgjedhje vendore. Fushatën, në vend të problemeve të qytetarëve, e ka zënë “politika e madhe”, ndërsa kandidatët rreken të fitojnë besimin e zgjedhësve me premtimet apo problemet tadicionale: Ujë, rrugë, kopshte e çerdhe…

Padyshim që këto janë problemët e “shportës”, problemet dhe nevojat bazike të qytetarëve. Nëse nuk kanë ujë në shtëpi, apo ujë për të pirë e për të ujit tokat, apo rrugë ku të ecin vetë e ku të ecë makina për të shtitur prodhimet, padyshim që njerëzve nuk i shkon mendja për standarde demokracie, lirinë e medias, apo liritë dhe të drejtat e njeriut. Ndaj politika vazhdon të mbetet sërish te “ushqimet e shportës”.

Por çfarë do të duhej të shikonim më shumë në platformat e kandidatëve? Çfarë mungon në vizionin e tyre? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, do të duhej të pyesnim sërish, se çfarë mungon në qytetet tona, përveç ujit dhe rrugëve? Qyteti, qëkurse lindi si formë e organizimit të jetës së shoqërisë njerëzore, nuk u koceptua si një bashkësi ndërtesash. E thënë më qartë, qytetet nuk janë një fushë e mbushur me pallate dhe qyteti më i bukur dhe më i mirë nuk është ai që ka pallatet më të bukura e më të mëdha.
Në qytetet shqiptare, duke filluar nga Tirana deri tek qytetet industriale që lindën në kohën e komunizmit, i shpallën luftë dimensionit kulturor, artistik dhe edukativ. U shkatërruan kinematë, teatrot, estradat…. (Edhe atje ku ndërtesat janë ende në këmbë, nuk prodhojnë asgjë, sepse s’kanë artistë).U shkatërruan qendrat rinore, qendrat kulturore për fëmijët, parqet e mjedise të tjera publike argëtuese. Pra, në vend që të ndërtoheshin të reja, u shkatërruan edhe ato që u trashëguan. Qytetet u shndërruan në sheshe ndërtimi, për të shuar etjen e njerëzve për shtëpi dhe etjen e ndërtuesve për sheshe ndërtimi. Kujtojmë se edhe qytete modeste si Cërriku, Ballshi, apo Laçi kishin dikur kinema e qendra kulturore…

U tkurrën në mënyrë dramatime hapësirat publike dhe fëmijët u mbyllën në shtëpi, duke u skllavëruar rrufeshëm nga teknologjia. Ata nuk kanë ku të luajnë e nuk kanë mjedise për të kaluar kohën në mënyrë te kulturuar. Për ta nuk prodhohet as art, as kulturë, as edukum e asgjë tjetër. Ndërsa rinia, duke mos e gjetur veten askund, u shndërrua në klientelë vegjetuese e kafeneve(Shqipëria është vendi i dytë në Europë për numër kafenesh në raport me popullsinë). Të duket e pabesueshme që në kohën kur unë isha student, të rinjtë mbanin radhë për të blerë një biletë teatri apo kalonim dorë më dorë gazetën Drita dhe revistat kulturore për ti lexuar.

Njerëzit nuk kanë nevojë vetëm për bukë, rroba e gjumë. Ata kanë nevojë të jetojnë në një qytet që ofron punë, argëtim, çlodhje, dëfrim, sport, jetë kulturore e intelektuale…Mungesa e këtij dimensoni në qytete prodhoi një krizë të re ndër shqiptarët, krizën morale, psikologjike. Prodhoi krizën e identiteti
Besoj e keni pyetur shpesh veten se përse shqiptarët janë marrosur pas spektakleve banale televizive të tipit Big Brother? Mendoj se një nga arsyet është pikërisht vakumi kulturor dhe argëtues që ka lënë shteti dhe pushteti.
Keni pyetur ndonjëherë vetën se përse ikin nga Shqipëria edhe njerëz që këtu kanë të ardhura të mira e jetojnë shumë mirë ekonomikisht?

Ikin sepse këtu mungojnë dimensionet e tjera të jetës. Mungojnë parqet për fëmijë e të moshuar, mungojnë teatrot dhe kinematë, bibliotekat, terrenet sportive dhe qendrat kulturore, ku fëmijët të kalojnë kohë pozitivisht e ku të shprehin talentet e tyre.
Këtë vizion për zhvillimin e qyteteve nuk e shikojmë as këto zgjedhje.

Foto: Kinema 17 Nentori ne Tirane, qe u prish per tu bere pallate…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.