Tjetër denocim: Vasil Bedinaj është prestanome
dhe zotëron pak përqindje nga 37 hektarë tokë në Dhërmi
DENONCIMI/ 37 hektarë tokë në Dhërmi, qytetarja: Vasil Bedinaj është prestanome dhe zotëron vetëm një përqindje të vogël
Një denoncim tjetër në harkun e 2 orëve ka mbërritur në redaksinë e Publik.al ngre dyshime serioze mbi pronësinë dhe dokumentacionin e një sipërfaqeje prej 37 hektarësh tokë në zonën e Dhërmiut.

Sipas dokumentit të dërguar nga denoncuesja, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke të llojit “kullotë”, në vendin e quajtur “Adhendri”, në Dhërmi, me zonë kadastrale 1481. Në vërtetimin e paraqitur si pronar figuron Kastriot Halim Hasko, ndërsa origjina e pronësisë lidhet me vendimin nr. 93, datë 22 dhjetor 1995, të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Dokumenti mban datën 25 korrik 2024 dhe sqaron se pasuria ndodhet në një zonë kadastrale ku nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar. Për këtë arsye, vetë akti nuk përbën provë të regjistrimit përfundimtar në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
Qytetarja pretendon se pas kësaj pasurie dhe projekteve të lidhura me të qëndrojnë persona të tjerë, ndërsa Vasil Bedinaj, sipas saj, përdoret si prestanome dhe zotëron vetëm një përqindje të vogël të interesave reale.
Denoncuesja lidh pronën me arrestimet në Elbasan: “Ngjarja është paraqitur në mënyrë të manipuluar”.
Në vijim të denoncimit, qytetarja pretendon se konflikti për pronën në Dhërmi lidhet edhe me një ngjarje të ndodhur vitin e kaluar në Elbasan, ku, sipas saj, u arrestuan Maks Lika dhe persona të tjerë që shoqëronin një shtetas të identifikuar vetëm me emrin Bujar.
Ka qenë Visi i Pojës që ka ndërhyrë tek Ilir Proda për të arrestuar Bujarin që kërkoi ndihmë për pronën e tij.
Denoncuesja deklaron se Bujari u kishte kërkuar ndihmë këtyre personave për të rimarrë pronën që pretendonte se i përkiste. Sipas versionit të saj, personi nga Elbasani ishte viktimë e konfliktit dhe jo organizator i një veprimtarie të paligjshme.
Ajo pretendon gjithashtu se arrestimi është realizuar pas ndërhyrjeve të personave të tjerë pranë strukturave policore dhe se lajmet rreth ngjarjes janë paraqitur në mënyrë të manipuluar, për të favorizuar palën kundërshtare në konfliktin për pronën.
Denoncuesja ngre gjithashtu pretendimin se firma e ish-drejtoreshës së Kadastrës, Ines Nurja, është falsifikuar. Ajo pohon se për këtë çështje është depozituar një kallëzim dhe kërkon që SPAK-u të verifikojë dokumentacionin, vendimin mbi të cilin është njohur prona dhe veprimet e kryera më pas me sipërfaqen.
Sipas denoncimit, prona është ndarë në disa parcela të tjera dhe janë kryer veprime që qytetarja i cilëson si tjetërsim të paligjshëm të pronës së saj. Ajo deklaron se disponon dokumente dhe materiale të tjera, të cilat pritet t’ia vërë në dispozicion redaksisë.
Publik.al i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të sqarojë:
- historikun juridik të sipërfaqes prej 37 hektarësh në zonën “Adhendri”;
- vlefshmërinë dhe origjinalitetin e dokumenteve dhe firmave;
- nëse pasuria është ndarë në parcela dhe cilët janë përfituesit;
- nëse është depozituar kallëzim për falsifikimin e pretenduar;
- pronarët përfitues realë të subjekteve që kanë interesa mbi këtë territor.
Redaksia i kërkon SPAK-ut dhe Prokurorisë të sqarojnë nëse kanë regjistruar kallëzim apo procedim penal lidhur me këtë pasuri. Publik.al mbetet i hapur për qëndrimin e Vasil Bedinajt, Lorena Goxhobellit, Ines Nurjes, Kastriot Haskos dhe çdo personi tjetër të përmendur në denoncim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



